2024/11/19 - 3:14
Grupi Lokal i Veprimit (GLV) “Llapusha”, sot ka mbajtur një takim me bujqit lokalë të Malishevës, ku është diskutuar për mundësitë e zhvillimit të bujqësisë si një degë kryesore e zhvillimit ekonomik rural, e ku morën pjesë bujq, ekspert të bujqësisë dhe zyrtarë tjerë përgjegjës.
Gjatë këtij takimi, i pranishëm ishte edhe drejtori i Drejtorisë për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, Sylë Dukolli, i cili theksoi rëndësinë e hartimit të një strategjie zhvillimore për bujqësinë dhe mbështetjes së bujqve me politika të qëndrueshme zhvillimi.
Pjesëmarrësit diskutuan gjithashtu për sfidat dhe mundësitë që ofron Komuna e Malishevës në këtë fushë, me fokus të veçantë në sektorin e bujqësisë, i cili është një mundësi e shkëlqyer për zhvillimin ekonomik të rajonit. Buqit dhe organizatat e lidhura me këtë sektor kanë kontribuar në identifikimin e mundësive për zhvillim dhe përmirësim të kushteve të punës në bujqësi.
Sipas zyrtarëve të GLV “Llapusha”, hartimi i një strategjie të koordinuar për zhvillimin e bujqësisë dhe ekonomisë rurale është një mundësi e mirë për të adresuar disa nga sfidat kryesore me të cilat përballen bujqit. Kjo strategji do të fokusohet në dy fusha kryesore: përmirësimi i infrastrukturës bujqësore dhe mbështetja për përdorimin e teknologjive moderne në bujqësi, si dhe rritja e kapaciteteve të fermave për të garantuar prodhim të qëndrueshëm dhe të standardizuar.