Republika e Kosoves

Malishevë

Kanë filluar përgatitjet për mbajtjen e edicionit të nëntë të festivalit të folklorit “Oda e Llapushës”

2024/07/03 - 12:37

Përgatitjet për mbajtjen e festivalit tradicional të folklorit “Oda e Llapushës”, edicioni i nëntë, kanë filluar dhe sot është mbajtur takimi i parë i Këshillit Organizativ. Festivali do të mbahet më 1 dhe 2 gusht të këtij viti dhe përkon me “ditët e mërgatës” që organizohen në vendin tonë.

Në emër të drejtorit të drejtorisë, takimi u drejtua nga zyrtari komunal për kulturë, Mehdi Krasniqi, takim i cili mblodhi së bashku anëtarët e këshillit për të diskutuar një sërë çështjesh kyçe për organizimin e këtij festivali të rëndësishëm kulturor. Diskutimet përfshinë aspektet teknike dhe performancën e grupeve, shoqërive dhe rapsodëve, me synimin për të rritur cilësinë e prezantimeve dhe për të pasqyruar trashëgiminë e pasur kulturore të trevave shqiptare.

Anëtarët e Këshillit Organizativ vlerësuan rëndësinë e festivalit dhe u zotuan për të siguruar një organizim sa më të mirë. “Oda e Llapushës” pritet të sjellë në skenë emrat më të njohur të folklorit shqiptar, duke ofruar një spektakël unik për të gjithë pjesëmarrësit.

Edicioni i nëntë i festivalit “Oda e Llapushës” do të mbahet në qytetin e Malishevës, duke mbajtur gjallë traditën dhe duke u bërë pjesë e rëndësishme e kalendarit kulturor të vendit.

Përgatitjet kanë nisur me përkushtim të plotë dhe synojnë të krijojnë një ngjarje të paharrueshme që do të mbetet gjatë në kujtesën e pjesëmarrësve dhe dashamirëve të folklorit.