Republika e Kosoves

Malishevë

Me propozim të kryetarit Kastrati me shumicë votash Kuvendi miratoi buxhetin për vitin 2025

2024/09/28 - 1:31

Sot, Kuvendi i Komunës së Malishevës, e ka mbajtur mbledhjen e dytë urgjente për këtë vit, ku pikë e vetme e rendit të ditës ishte shqyrtimi dhe miratimi i projekt buxhetit të Komunës së Malishevës, 2025-2027, me theks të veçantë buxheti për vitin 2025, i propozuar nga Kryetari i Komunës së Malishevës.

Mbledhja filloi me një minutë heshtje për nder të Hajdin Berishës, ish-nënkryetar i Komunës dhe drejtor i Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, i cili ndërroi jetë disa javë më parë. Kryesuesi i Kuvendit, Argjend Thaçi, drejtoi mbledhjen ku morën pjesë kryetari Kastrati dhe drejtorët e drejtorive komunale.

Gjatë prezantimit, Kastrati theksoi se buxheti i parashikuar për vitin 2025 është 21,499,545.01 €, një rritje prej mbi 1.7 milionë eurosh krahasuar me vitin e kaluar. Ai shtoi se ky buxhet do të ndikojë në përfundimin e projekteve të nisura më parë, përfshirë projektin “Malisheva Urbane,” për të cilin qytetarët kanë shprehur mbështetjen e tyre dhe që do të ndikoj drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik të komunës sonë.

Pas diskutimeve, projekt-buxheti u miratua me 16 vota pro, 1 kundër dhe 1 abstenim. Ndër investimet kapitale të përfshira është edhe një projekt i propozuar nga qytetarët përmes programit “Buxhetimi me pjesëmarrje”, i mbështetur nga USAID. Ky projekt do të financojë ndërtimin e fushës sportive për shkollën “Ibrahim Mazreku” në Malishevë.