2023/03/08 - 7:16
Sot me rastin e shënimit të 8 Marsit-Ditës Ndërkombëtare të Gruas, kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, i shoqëruar edhe nga kabineti i tij, sot i ka vizituar një pjesë të grave të cilat punojnë në institucione. Kryetari Kastrati, i ka uruar të gjitha gratë në Komunën e Malishevës dhe jo vetëm, me rastin e kësaj date të rëndësishme, që lidhet me të drejtat e tyre dhe i ka falënderuar për gjithë sakrificën ndër breza, që ka bërë gruaja shqiptare, duke i quajtur “shtylla e kombit”.
“Jo vetëm në këtë datë të shënuar, por ju uroj për çdo mund e sakrificë që keni bërë ndër vite, për familjen dhe për kombin, për ndërtimin e vendit dhe për krijimin e një shoqërie të shëndoshë, çfarë e kemi ne sot. Ne, gjatë tërë jetës sonë dhe çdo ditë e çdo moment, ju jemi mirënjohës për çdo gjë që keni bërë dhe vazhdoni të bëni për familjet tona, për vendin e për kombin. JU jeni shtylla e kombit dhe e këtij vendi”, ka thënë mes tjerash kryetari Kastrati, gjatë vizitave në institucione të ndryshme, duke i uruar gratë, me rastin e 8 Marsit-Ditës Ndërkombëtare të Gruas.
Përndryshe, gjatë ditës së sotme, edhe zyrtaret përgjegjëse komunale, si drejtoresha e Drejtorisë për Arsim dhe Edukim, Arbëreshë Krasniqi, shefja e kabinetit të kryetarit, Blerta Krasniqi dhe zyrtarja për barazi gjinore, Vera Bytyçi, i kanë vizituar disa OJQ lokale dhe biznese, ku gratë janë të angazhuara dhe punojnë, e të cilat i kanë uruar me rastin e shënimit të 8 Marsit.