Republika e Kosoves

Malishevë

Klubi i Atletikës “Malisheva”, kampion i Kosovës për moshat e reja

2018/05/14 - 2:58

Malishevë, 14 maj

Klubi i Atletikës “Malisheva”, në Kampionatin e Kosovës, për grupmoshat U10, U12, U14 dhe U16, të mbajtur më 12 maj të këtij viti në Mitrovicë, janë shpallur kampion, pasi kanë fituar bindshëm, me gjithsejtë 28 medalje, prej tyre 12 të arta, 10 të argjendta dhe 6 të bronzta. Për këtë sukses, atletëve të rinj malishevas, ju është organizuar një pritje nga ana e kryetarit të Komunës së Malishevës, Ragip Begaj.

“Ju jeni një klub serioz dhe me rezultate të mira, andaj ju uroj për të gjitha rezultatet që keni treguar, e në veçanti për suksesin e para dy ditëve, ku jeni shpallur Kampion i Kosovës. Kudo që merrni pjesë, ju e përfaqësoni jo vetëm veten tuaj dhe klubin, por edhe Malishevën, dhe çdo sukses i juaji na bën neve të ndihemi me krenar”, tha mes tjerash kryetari Begaj, gjatë fjalës së tij drejtuar atletëve, ndërsa e ka falënderuar për punën e tij,e dhe trajnerin, Adrian Mazreku, si dhe donatorin Hasan Jonuzaj, i cili edhe është veteran i atletikës.

Ndërsa nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha, e që njihet edhe si sportdashës, tha se “ne mburremi me rezultatet që ju keni arritur dhe ju inkurajoj që të vazhdoni me punën tuaj, ndërsa përkrahja nuk do të mungoj”. Përkrahje ju ka dhënë edhe drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, Besartë Kryeziu-Ramaj, e cila premtoi se komuna do ti përkrahë klubet sportive në zhvillimin e aktiviteteve të tyre dhe ju uroi suksese atletëve.

Adrian Mazreku, trajner i klubit, pasi i ka prezantuar të arriturat e klubit, vitin 2018 e ka quajtur vit të sukseseve të klubit, si në Kampionit e Kosovës, ashtu edhe në garat tjera, përfshi edhe ato rajonale, ndërsa e ka falënderuar edhe Komunën e Malishevës, për përkrahjen e vazhdueshme, si dhe për faktin se është ndër komunat e rralla në vend, që është duke investuar në infrastrukturën e atletikës, pasi nga viti i ardhshëm, pritet që Komuna e Malishevës dhe klubi, ti kenë edhe shtigjet e atletikës.

Në këtë takim, kanë përshëndetur edhe donatori i klubit, Hasan Jonuzaj, një veteran i atletikës, përkatësisht i vrapimit në shtigjet e gjata, si dhe atletja Arbnora Berisha, e cila krahas disa sukseseve të këtij viti, së fundmi, është fituese edhe garës së vrapimit të mbajtur në Preshevë, në distancën 5 000 metra.