Republika e Kosovës
Republika e Kosoves

Malishevë

Klubi i pingpongut “Llapusha” kampion i ligës së parë dhe bëhet anëtarja më e re superligës

2021/11/09 - 11:39

Malishevë, 9 nëntor

Sporti në përgjithësi në Komunën e Malishevës çdo dit e më tepër po arrin rezultate. Në mesin e sporteve që janë avancuar dhe kanë arritur rezultate të mira, është edhe sporti i pingpongut, ku ekipi “Llapusha” e ka fituar plejofin e Ligës së Parë dhe është bërë anëtarja më e re e Super Ligës së Kosovës në Pingpong.

Kjo është konfirmuar nga ana e Federatës së Pingpongut të Kosovës dhe vet ekipit “Llapusha”. Në garat e plejofit të mbajtura dy ditë më parë, ekipi i pingpongut “Llapusha”, është shpallur kampion i Ligës së Parë dhe tani është anëtarja më e re e Super Ligës së Kosovës në Pingpong.

Rezultatin e ekipit, e ka konfirmuar edhe kryetari i klubit të pingpongut “Llapusha”, Sheremet Hoti, i cili i ka falënderuar të gjithë anëtarët e klubit, dhe njëherit ju ka bërë thirrje të rinjve, që ti bashkohen klubit dhe të masovizohet edhe më shumë sporti i pingpongut.

“Jemi ekipi i parë në komunën tonë që kemi arritë që brenda tri viteve nga themelimi të bëhemi pjesë e sportit elitar (superligë) në ping pong, diçka që s’ka ndodh me asnjë klub në Kosovë. Ne e nisëm këtu e tri vite me parë, një grup shokësh e adhurues të këtij sporti. E bëmë gjithë çka vet, e organizuam, e financuam, e zhvilluam dhe arritëm ta ngrisim këtë klub, aty ku e meriton sporti dhe malishevasit. Duhet ta përmend mbështetjen e ish drejtoreshës Besarta Kryeziu-Ramaj, e cila që në fillimet tona ka qenë e gatshme dhe na ka dhënë lejen për shfrytëzimin e hapësirës, ku edhe sot ne funksionojmë, në palestrën ” Habib Zogaj “, dhe  kjo ishte ndihma e vetme. Pastaj çdo gjë e kemi bërë vet.  Dua ti uroj të gjithë dashamirët dhe adhuruesit e këtij sporti për klubin “Llapusha” që tashmë është pjesë e krenarisë së komunës tonë, por njëkohësisht dua të ju them se kur ka vullnet, dëshirë e pasion, rezultatet nuk mungojnë.  Për fund, ju bëjë thirrje të rinjve dhe të rejave, që e duan këtë sport, të vijnë e ta gjejnë veten në klubin tonë, të rrugëtojmë së bashku drejtë fitoreve tjera. Kampion lind, por edhe bëhesh”, ka thënë kryetari i klubit të pingpongut “Llapusha”, Sheremet Hoti.