Republika e Kosoves

Malishevë

Nënkryetari Berisha organizoi pritje për klubin e futbollit për femra U-16 kampione të Kosovës

2021/06/04 - 3:38

Malishevë, 4 qershor  

Klubi i Futbollit për Femra, KFF “Malisheva” për kategorinë U-16,  e kanë mbrojtur titullin e kampionit të Kosovës, në këtë kategori të garave, dhe për këtë qëllim, sot, nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha dhe drejtori i Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Rexhep Mazrreku, e kanë organizuar një pritje për këtë ekip futbolli, për ti uruar për titullin dhe për ti falënderuar për paraqitjen e jashtëzakonshme në kampionat.

“Urime për titullin dhe faleminderit për paraqitjen tuaj, pasi na keni bërë të jemi krenar si komunë. Sporti në Malishevë, gjatë këtij viti ka sjellë vetëm kampion për Malishevën, dhe përveç që nuk kemi shënuar asnjë rënie, në asnjë fushë sportive, klubet tona kanë shënuar suksese, dhe në mesin e këtyre jeni edhe ju. Në emër timin, në emër të kryetarit të Komunës, Ragip Begaj dhe në emër të Komunës së Malishevës, ju uroj për suksesin dhe ju falënderoj për paraqitjen tuaj dhe për djersën që e keni derdhur për fanellën e Malishevës”, ka thënë mes tjerash nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha në fjalën e tij, drejtuar futbollisteve të reja të Malishevës, e po ashtu e ka falënderuar edhe trajnerin Valmir Krasniqi, për punën e jashtëzakonshme që ka bërë me ekipin.

Edhe drejtori i DKRS-së, Rexhep Mazrreku, i ka falënderuar ekipin e KFF “Malisheva” U-16, për mbrojtjen e titullit kampion, si dhe të gjitha klubet tjera për sukseset e këtij viti.

Trajneri i KFF “Malisheva”, Valmir Krasniqi, pasi i ka falënderuar për pritjen dhe vlerësimin, ai e ka falënderuar Komunën e Malishevës, për mbështetjen e vazhdueshme për klubin. “Ky sukses i vajzave tona, është rezultat i mbështetjes së komunën, por natyrisht edhe i punës ekipore të vajzave”, ka thënë trajneri Krasniqi.