Republika e Kosoves

Malishevë

U shënua dita e shkollës “Rifat Berisha” në Berishë

2018/05/17 - 12:59

Malishevë, 17 maj

Me rastin 55 vjetorit të hapjes së shkollës, në Berishë është shënuar dita e shkollës fillore dhe të mesme të ulët “Rifat Berisha”. Data e shënimit të ditës shkollës, lidhet me 17 majin e vitit 1949, ditën kur është vrarë Rifat Berisha. Në këtë shënim morën pjesë edhe nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha, drejtori komunal i arsimit, Blerim Thaçi, familja e Rifat Berishës, si dhe personalitete të shquara të historisë dhe letërsisë.

Fillimisht për historikun e shkollës, ka folur drejtori i kësaj shkolle, Lulzim Gegaj, i cili krahas historikut dhe rezultateve të shkollës, kujtoi edhe mësimdhënësit e parë të kësaj shkolle.

Ndërsa nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha, duke folur me këtë rast, krahas punës në këtë shkollë, foli edhe për atdhetarin dhe patriotin Rifat Berisha, emrin e të cilit e mbanë kjo shkollë. Nënkryetari Berisha, duke folur për angazhimet e institucioneve në fushën e arsimit dhe infrastrukturës shkollore, premtoi se shumë shpejt edhe kjo shkollë, me një objekt krejtësisht të ri dhe të përshtatshëm për mësimdhënie dhe mësimnxënie, do ta ketë edhe fushën e sportit.

Në këtë shënim, për jetën, veprën dhe personalitetin e Rifat Berishës, ka folur  profesor Mehmet Rukiqi.

Më pas, nga nxënësit e shkollës “Rifat Berisha”, është shfaqur edhe një program kulturor dhe artistik.