Lajmet   Lajmet   Në Mitrovicë vazhdon të mbretëroj situatë e qetë dhe stabile

Në Mitrovicë vazhdon të mbretëroj situatë e qetë dhe stabile - 17 mars 2017

 
unnamed-(2).jpgKëshilli Komunal  për  Siguri në Bashkësi (KKSB) ka mbajtur të premten  takimin e radhës, të cilin e ka udhëhequr drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim në Komunën e Mitrovicës, Musa Dragaj. Të pranishëm në këtë takim ishin  përfaqësues nga Policia e Kosovës, përfaqësues nga Bashkësia Islame,  përfaqësues të komuniteteve, të bashkësive lokale  dhe ata të  shoqërisë civile
 Temë kryesore e shqyrtimit ishte gjendja  e sigurisë ne Komunën e Mitrovicës dhe  shfrytëzimi i parkingjeve ekzistuese në qytet.

Për gjendjen e sigurisë në Komunën e Mitrovicës i pari foli komandanti  i Stacionit Policor të Jugut, Ahmet Xhosha, i cili tha se gjendja aktuale është e mirë dhe stabile. Ai i njoftoi të pranishmit se shumë njësi policore janë duke mbajtur ligjërata  në shkollat e Mitrovicës për të  vetëdijesuar të rinjtë për parandalimin e dukurive negative. 
 
“Ne vazhdimisht jemi të angazhuar për të krijuar siguri për qytetarë e në veçanti për fëmijë dhe nxënës nëpër shkolla. Aktualisht jemi duke mbajtur  ligjërata kundër dukurive negative, e në veçanti jemi duke i trajtuar  disa të rinj  të cilët janë  të involvuar  në raste të ndryshme të dukurive të dëmshme shoqërore. Është mirë që të gjithë faktorët, duke përfshi këtu edhe policinë e Kosovës të përkujdesemi më shumë për largimin e këtyre të rinjve nga dukuritë e dëmshme”, tha ndër të tjera komandant Xhosha.
 
Në vazhdim drejtori Musa Dragaj foli për problemin e parkimit ilegal të automjeteve nëpër hapësirat e qytetit, që po e pengojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve. Ai tha se Komuna ka marrë hapa dhe është duke  bërë përpjekje që të  gjej sa më parë një operator tjetër për largimin e automjeteve nga trotuaret dhe vendet të cilat nuk janë për parking.
 
Pjesëmarrësit e takimit po ashtu theksuan këtë si  një problem që po pengon qytetarët, andaj edhe kërkuan që ai të zgjidhet sa më parë që është e mundshme.
 
Shqetësim tjetër i pjesëmarrësve në takim ishte edhe çështja e shembjes së dheut mbrapa ndërtesave tek FSK-ja, që po paraqet rrezik për banorët e atyshëm. Drejtori Dragaj premtoj se do të merren masa sa më shpejt që është e mundur.

 Përfaqësuesi nga Organizata PRAM, Milaim Ramadani foli për problemet me të cilat po ballafaqohet lagja "2 korriku"  rreth lumit Sitnica  në lidhje me infrastrukturën. Ai kërkoj  që të ndërmerren masa sa më parë në për përmirësimin e gjendjes, sepse banorët  po hasin në vështirësi të mëdha për  të kaluar andej.Po ashtu, Ramadani foli edhe për çështjen tjetër në lidhje me bllokimin e  hyrjes në klubin  "Trepca’89"  nga shitësit, prandaj kërkoj që ky problem të zgjidhet.
 
Përfaqësuesi i lagjes së Shipolit kërkoi mbështetjen e pushtetit lokal, të policisë dhe të faktorëve tjerë për luftimin e dukurive të dëmshme shoqërore siç janë narkomania, prostitucioni dhe vjedhja që janë të pranishme në atë mjedis. Ai kërkoi që nëpër rrugët kryesore të lagjes të vendosen kamera për vazhdim, të cilat do të ndihmonin në identifikimin e bartësve të këtyre dukurive joligjore.
 
Si problem tjetër që po ashtu u shtrua për diskutim  dhe që u kërkua të ndërmerren masa të menjëhershme, ishte rreziku  nga qentë e shumtë endacak, për të cilët u tha se po sillen  pothuaj nëpër të gjitha paralagjet dhe lagjet e qytetit, andaj edhe u kërkua që të ndërmerren masa sa më parë për të parandaluar rreziqet e mundshme. 
 
Në fund, drejtori Dragaj  falënderoi   Policinë e Kosovës për punën dhe përkushtimin e saj për të ruajtur rendin dhe qetësinë e qytetarëve të komunës, ndërsa  përfaqësuesve të tjerë ju premtoj që problemet dhe hallet e tyre do të adresohen tek organet kompetente për zgjidhjen e  tyre .

unnamed-(1).jpg


 
 

RSS

Sign in