Republika e Kosoves

Mitrovicë e Jugut

Kryetari Hamza nënshkroi kontratat e bursave për 230 studentë

2024/06/05 - 9:52

Në hapësirat e Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, kryetari i komunës, z. Bedri Hamza, sot ka nënshkruar kontratat për bursa me 230 studentë për vitin akademik 2023/2024.

Me rastin e nënshkrimit të kontratave, i pranishëm ishte edhe nënkryetari i komunës, z.Arian Tahiri, drejtori i Drejtorisë së Administratës, z. Gëzim Stavileci.

Në fjalën e tij, kryetari z. Hamza, ka thënë se ndihet shumë i lumtur që studentët mitrovicas po i përkrahin dukshëm më shumë se në të kaluarën.

“Nga 50 bursa sa ishin ndarë në vitin 2021, këtë vit kemi rritje 360 përqind. Sot ne po ndajmë 230 bursa për studentët tanë. Shkollimi i të rinjve është shpresa më e madhe e vendit”, është shprehur ndër tjerash kryetari Hamza.

Ndërkaq, drejtori i Drejtorisë së Administratës, z. Gëzim Stavileci, ka përgëzuar të gjithë studentët bursistë të cilët falë angazhimit të tyre kanë arritur ti përmbushin kriteret e të jenë përfitues të bursës komunale.