Republika e Kosoves

Mitrovicë e Jugut

Kryetari Bahtiri përshëndeti diplomimin e gjeneratës së parë të studentëve të Shkollës Amerikane

2019/06/07 - 4:19

  Në Shkollën Amerikane (Kosovo Lidership Academy), në Mitrovicë, sot është mbajtur ceremonia e dorëzimit të diplomave, me rastin e diplomimit të gjeneratës së parë të studentëve. Në këtë ceremoni ishin të pranishëm kryetari i komunës, Agim Bahtiri, drejtori i Arsimit, Iset Beka, drejtoresha e shkollës Amerikane, Nadine Hennesey, studentë, profesorë dhe familjarë të shumtë. Në fjalën e tij, kryetari i komunës, Agim Bahtiri, para të pranishmëve tha se ky kolegj ka sjell një praktikë të re të mësimdhënies dhe mësimnxënies. “Jam jashtëzakonisht  i lumtur që jam në mesin e juaj.  Me siguri që kolegët nga  kolegjet e tjera ua kanë lakmi juve, për arsyen se ju keni pasur mundësi që të kryeni punë praktike të ndryshme në vendet e huaja. Në këtë kolegj është një mënyrë tjetër e të mësuarit, një mënyrë perëndimore. Unë ju uroj  që të vazhdoni të keni shumë suksese në të ardhmen”, tha kryetari Bahtiri. Rreth punës, sukseseve, të arriturave dhe sfidat që e kanë përcjellë këtë shkollë ka folur edhe drejtoresha e Shkollës Amerikane, Nadine Hennesey, e cila ka falënderuar stafin akademik e administrative dhe të gjithë të pranishmit për punën dhe angazhimin e treguar në fusha të ndryshme në të mirën e shkollës. Në fund të ceremonisë, Era Mziu, u shpërblye me një bursë prej 1000 euro për suksesin e treguar si studente dalluar në këtë shkollë.