Republika e Kosoves

Mitrovicë e Jugut

Adea Tahiri zgjidhet kryetare e Asamblesë Komunale të Fëmijëve

2019/05/22 - 2:57

Është zgjedhur struktura e re e  Asamblesë së Fëmijëve në Komunën e Mitrovicës, e cila do të kryesohet nga Adea Tahiri, kryetare, Lorika Beka, nënkryetare dhe sekretar Donat Hajredini.

Asambleja komunale është formuar nga  Drejtoria Komunale e Arsimit në Mitrovicë, Njësia për të Drejtat e Njeriut nga  Komuna e  Mitrovicës, OJQ “Syri i Vizionit” nga Peja dhe e mbështetur nga organizata “Save the Children”.

Teuta Uka nga OJQ “Syri i Vizionit”  ju  tha asamblistëve të rijnë  se tani ata do të jenë mbrojtës të drejtave të gjithë fëmijëve që jetojnë në territorin e Komunës së Mitrovicës. Ajo njoftoi se asamble të këtilla funksionojnë edhe në komunat tjera të Kosovës.

“Ju do të jeni zëri i shokëve tuaj të shkollës, i shokëve tuaj nga lagja dhe besoj se do t’i shtroni për diskutim të gjitha problemet dhe sfidat që ju preokupojnë. Ndërkaq, ne do të bëjmë çmos që këto problem t’i zgjidhim, që asambleja e juaj të funksionoj pa problem”, tha ajo.

Koordinatori i Njësitit për të Drejtat e Njeriut nga Komuna e Mitrovicës, Fitim Rama, ju tha nxënësve asamblistë se ata për të realizuar detyrat dhe përgjegjësitë e asamblistit, duhet të angazhohen shumë, të bashkëpunojnë dhe të këmbejnë përvoja. “Vetëm kështu ju mund të ecni përpara dhe të ndihmoni në zgjidhjen e problemeve të shumta të gjeneratës tuaj. Ju këtu jeni përfaqësues të shkollave tuaja, por ju i mbroni të drejtat e të gjithë fëmijëve të komunës”, ka thënë Rama.