Republika e Kosoves

Mitrovicë e Jugut

Fusha e Futbollit në Mitrovicë emërtohet me emrin e nipit të heroit Xhevat Jusufi

2019/01/03 - 3:55

Kryetari i komunës, Agim Bahtiri, i shoqëruar nga nënkryetari Faruk Mujka, dhe drejtorët e drejtorive komunale sot kanë bërë homazhe tek lapidari i heroit ish-komandant i UÇK-së për logjistikë i Zonës Operative të Shalës, Xhevat Jusufi, dhe në varrezat e dëshmorëve në Shipol me rastin e 20-vjetorin të rënies së tij në fshatin Smrekonicë të Komunës së Vushtrrisë.

Për të nderuar jetën dhe veprën e heroit Xhevat Jusufi, të pranishëm ishin edhe kryetari i komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, Gjenerallejtnant i Ushtrisë së Kosovës, Rahman Rama, familjarë, përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, bashkëluftëtarë dhe qytetarë të shumtë.

Kryetari i komunës, Agim Bahtiri, e vlerësoi lartë angazhimin dhe kontributin e heroit Xhevat Jusufi, në luftën për liri dhe pavarësinë e vendit. Ai tha se Xhevati ishte një figurë e rëndësishme për rajonin e Shalës së Bajgorës, dhe tërë Mitrovicën i cili u vu në shërbim të atdheut dhe të popullit, për të dhënë kontributin e tij për të larguar okupatorin nga Kosova.

Xhevat Jusufi me veprën e tij bëri që të ketë përmasa gjithëkombëtare dhe ishte pasardhës i trimave të Shalës së Bajgorës, si Isa Boletini etj, andaj me plotë meritë edhe mbanë titullin e lartë Hero i Kosovës.

Pas homazheve, tek lapidari i tij në Smrekonicë dhe në varrezat e dëshmorëve në Shipol, ku lule të freskëta vunë, zyrtarë komunal, përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta, familja e gjerë Jusufi, bashkëluftëtarët, qytetarë të shumtë, kryetari Bahtiri me bashkëpunëtorë mori pjesë edhe në ceremoninë e emërtimit të një fushe të futbollit me emrin e nipit të heroit, i cili ka lindur pas rënies së tij dhe mban emrin “Xhevat Jusufi”, nipi i heroit Xhevat Jusufi, ishte futbollist i talentuar, por që fatkeqësisht humbi jetën në një aksident komunikacioni.