Republika e Kosoves

Mitrovicë e Jugut

Komuna e Mitrovicës nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me Caritas-in Zviceran

2019/02/07 - 3:17

Kryetari i komunës, Agim Bahtiri, dhe drejtori i Bujqësisë, Ekrem Sadiku, kanë pritur në takim drejtoreshën nga Caritas-i Zviceran, Vera Haag Arbenz, dhe bashkëpunëtorët e saj, me ç’rast kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi për bashkëfinancim rreth promovimit të prodhimtarisë bujqësore në Mitrovicë.

Qëllimi i kësaj marrëveshje është përmirësimi i kushteve jetësore të fermerëve , rritja e gjenerimit të hyrave dhe prodhimin bujqësor në komunën e Mitrovicës.

Përmes kësaj marrëveshje do të mbështeten 15 fermerë me një shumë totale prej 43,000 mijë euro për kultivimin e frutave manore, bimëve mjekësore dhe prodhimin e mjaltit, ku Caritasi Zviceran do të participojë me 50%, Komuna e Mitrovicës me 35%, dhe fermerët me 15 %.

Me këtë rast kryetari Bahtiri, falënderoi përfaqësuesit e Caritas-it Zviceran për këtë bashkëpunim dhe përkrahje të sektorit të bujqësisë në Mitrovicë duke uruar që bashkëpunimi në mes të Komunës së Mitrovicës dhe Caritas-it Zviceran të vazhdojë edhe me projekte të tjera në të ardhmen.

Po ashtu edhe drejtori i Bujqësisë, Ekrem Sadiku, falënderoi organizatën në fjalë me të cilën komuna jonë ka pasur bashkëpunime shumë te mira në realizimin e shumë projekteve të përbashkëta. Më tutje drejtori Sadiku shprehu gatishmërinë që të zgjeroi këtë bashkëpunim të mirë edhe në vitet tjera.