Republika e Kosoves

Mitrovicë e Jugut

Kryetari Bahtiri dhe homologu i tij Xhafer Tahiri vlerësojnë si shumë të nevojshëm projektin “Trajtimi i ujërave të zeza”

2019/02/05 - 2:43

Kryetari i komunës, Agim Bahtiri, sot ka pritur në takim kryetarin e komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, dhe bashkëpunëtorët e tij, me të cilët ka biseduar lidhur me projektin e Impiantit “Trajtimi i ujërave të zeza”, në mënyrë që në këtë projekt të përfshihet edhe komuna e Vushtrrisë.

Gjatë këtij takimi të dy kryetarët u dakorduan që ti drejtohen Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik përmes një kërkese për përfshirjen e komunës së Vushtrrisë në projektin “Trajtimi i ujërave të zeza”.

Me këtë rast, kryetari Bahtiri falënderoi për vizitë homologun e tij z. Tahiri dhe gatishmërinë e treguar për realizimin e këtij projekti, duke thënë se ky projekt është shumë i rëndësishëm jo vetëm për komunën e Mitrovicës por edhe atë të Vushtrrisë.

Kryetari Bahtiri tha se qëllimi i këtij projekti “Trajtimi i ujërave të zeza” është që të përmisojë ndjeshëm mbledhjen dhe trajtimin e ujërave të zeza në qytetin e Mitrovicës dhe atë të Vushtrrisë, dhe kjo do të kontribuojë në mbrojtjen e burimeve sipërfaqësore dhe të ujërave nëntokësore në zonën e projektit, përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike dhe përmirësimin e kushteve të jetesës së popullsisë.

Ndërsa kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ofroi mbështetjen e tij të plotë për realizimin e këtij projekti i cili tha se jep zgjidhje të përhershme çështjes së trajtimit të ujërave të zeza, njëkohësisht përmirësimin e mjedisit dhe ruajtjen e tokës për qytetin tonë.

Pastaj kryetari Bahtiri dhe ai i Vushtrrisë, Tahiri, vizituan edhe Kompaninë Regjionale të Mbeturinave ‘Uniteti Sh.A’ në Mitrovicë, me ç’rast janë pritur nga Kryeshefi Ekzekutiv i KRM “Uniteti”, Gazmend Morina.

Gjatë këtij takimi është diskutuar për vështirësitë e kompanisë publike, si dhe borxhin që ka trashëguar menaxhmenti i ri nga ai paraprak, ku kryetarët e komunave ofruan mbështetjen e plotë institucionale drejtorit Morina.

Me këtë rast, Kryeshefi Ekzekutiv i KRM “Uniteti”, Gazmend Morina, para kryetarëve të komunave të cilët janë aksionarët kryesor të kësaj kompanie, u zotua që do të punoj maksimalisht për zhvillim të kësaj ndërmarrje, duke krijuar stabilitet operativ dhe financiar.