Kryetari Bedri Hamza thërret Komitetin për Menaxhimin e Emergjencave
2024/11/30 - 2:44
Me kërkesë të Kryetarit të Mitrovicës së Jugut, Bedri Hamza, sot është mbajtur takimi i Komitetit për Menaxhimin e Situatës Emergjente, pas dëmeve të shkaktuara me mjete shpërthyese në kanalin e ujit në fshatin Varagë, Zubin Potok.
Akti kriminal në fshatin Varagë të Zubin Potokut ka dëmtuar rëndë infrastrukturën e kanalit të ujit në “Ibër Lepenc”, duke shkaktuar ndërprerjen e furnizimit me ujë të pijshëm nga KRU “Mitrovica” për të gjithë rajonin e Mitrovicës.
Komuna e Mitrovicës është duke ndihmuar sipas kompetencave të saj dhe është në komunikim të rregullt me Qendrën Operative Regjionale. Për të siguruar furnizimin me ujë të pijshëm, nivelit qendror i është kërkuar dërgimi i cisternave me ujë, ndërkohë që do të caktohen pikat e furnizimit që qytetarët të njoftohen në kohë.
Komiteti për Menaxhimin e Emergjencave ka shprehur mirënjohje për ekipet që janë mobilizuar për tejkalimin e situatës dhe ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit për një menaxhimin sa më efikas.