Republika e Kosoves

Mitrovicë e Jugut

Kryetari Hamza mbajti takimin e parë publik me qytetarë për vitin 2024

2024/06/14 - 9:18

Në sallën e mbledhjeve të Kuvendit Komunal, kryetari i komunës, z. Bedri Hamza, në prani të drejtorëve të drejtorive komunale sot ka mbajtur takimin publik me qytetarë për të shpalosur punën e ekzekutivit për gjashtëmujorin e parë të vitit 2024.

Të pranishëm në këtë takim ishin përfaqësuesit e fshatrave dhe lagjeve të qytetit, si dhe qytetarë të tjerë.

Në fjalën e tij, kryetari z.Hamza fillimisht ka përshëndetur të pranishmit për pjesëmarrjen e tyre në këtë takim duke shtuar se jemi në vitin e tretë të qeverisjes lokale, ku qysh nga fushata zgjedhore kam qenë i kujdesshëm në dhënien e premtimeve.

“Tash pas 2 vite e gjysmë qeverisje, me plot përgjegjësi ju them se një pjesë e premtimeve janë përmbushur, ndërsa deri në përfundim të mandatit do t’i realizojmë të gjitha premtimet e dhëna. Po ashtu kemi realizuar edhe projekte të tjera jashtë premtimeve”, është shprehur kryetari Hamza.

Në këtë takim, kryetari z.Hamza njoftoi të pranishmit për investimet pozitive të bëra në sektorin e shëndetësisë, përmes renovimit pothuajse të të gjitha QMF-ve, AMF-ve dhe punët dinamike që po zhvillohen në finalizimin e ndërtimit të QMF- së në Iliridë dhe Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare.

Përveç tjerash qytetarët gjatë takimit u njoftuan edhe për investimet pozitive të bëra në sektorin e arsimit, përmes renovimit të shkollave të qytetit, çerdhes publike dhe projekteve të tjera të cilat janë në realizim e sipër për rritjen e çerdheve publike.

Po ashtu një rëndësi e veçantë i është kushtuar edhe investimeve infrastrukturore, ku tashmë rruga “Mbretëresha Teutë”, ka marrë një pamje krejt tjetër, rruga në Shipol, për të dhënë më tutje edhe informata mbi procedurat komplekse të shpronësimit përgjatë dy rrugëve kryesore të qytetit “Ali Zeneli” dhe “Lah Nimani”.

Gjatë këtij takimi, kryetari z.Hamza njoftoi të pranishmit edhe për punët e bëra nga inspektorët komunal, si dhe mbështetjen financiare për studentët, fermerët dhe sportistët mitrovicas.

Takimi i parë publik ka përfunduar pas pyetjet të parashtruara nga ana e qytetarëve dhe përgjigjeve të dhëna nga kryetari i komunës, z. Bedri Hamza, i cili ka theksuar se jemi në kohë, që të gjitha kërkesat racionale të inkorporohen në planifikimin e buxhetit për vitin e ardhshëm.