Republika e Kosoves

Mitrovicë e Jugut

Në Mitrovicë është shënuar 19 vjetori i masakrës “Nata e Tmerrit”

2019/02/05 - 9:32

Sot, në Qendrën e Kulturës “Rexhep Mitrovica” buzë lumit Ibër, nën organizimin e Komunës së Mitrovicës dhe Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut është shënuar 19 vjetori i masakrës “Nata e Tmerrit” ndërmjet 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000 në veriun e Mitrovicës.

Në këtë masakër të datës 3 dhe 4 shkurt serbët në Mitrovicë vranë 10 qytetarë shqiptarë, plagosën 25, dhe kanë dëbuar nga shtëpitë e tyre 1564 familje me gjithësej 11.394 anëtarë.

Të pranishëm në këtë ceremoni përkujtimore ishin kryetari i komunës, Agim Bahtiri, nënkryetari Faruk Mujka, deputetë nga Kuvendi i Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, drejtorë komunal, kryetari i KMDLNJ, Halit Barani, familjarë të viktimave, përfaqësues nga shoqatat e dala nga lufta, si dhe qytetarë tjerë të shumtë.

Në fjalën e tij, kryetari i komunës, Agim Bahtiri, falënderoi për pjesëmarrje deputetë e Kuvendit të Kosovës, familjarët e viktimave, si dhe qytetarë të shumtë, duke thënë se janë mbledhur për të përkujtuar natën më të rëndë të vitit 2000 në pjesën e veriut.

“Është ditë zie, ditë sakrificë, ditë pikëllimi, të cilët ne sot e përkujtojmë me një dhimbje të fuqishme morale, njerëzore, por edhe shpirtërore. Kjo që ka ndodhur para 19 vitesh ka qenë shumë e rëndë për të gjithë popullin shqiptar, në mënyrë tinxare, pa pasur respekt njerëzor të vrasin në shtëpitë e tyre, para familjarëve të tyre njerëzit të cilët kanë jetuar me familjet e tyre pa e kërcënuar askënd. Në atë kohë e falënderojmë KFOR-in danez i cili ka bërë përpjekje maksimale për të shpëtuar personat tjerë të cilët kanë qenë të pranishëm aty”, tha kryetari Bahtiri.

Ai po ashtu theksoi se gjithë qytetarët e Mitrovicës kanë bërë përpjekje që shqiptarët e shpërngulur të kthehen në shtëpitë e tyre në veri, edhe iniciativa e tij ka qenë çdoherë për tu kthyer ata, dhe të dënohen ata persona që kryen këtë masakër të tmerrshme ndaj shqiptarëve.

“Ne si komunë kemi punuar shumë që në Mitrovicë njëherë e përgjithmonë të ketë qetësi duke përfshirë edhe pjesën e veriut dhe jemi munduar vazhdimisht të sjellim paqe për qytetin tonë. Tani njerëzit kalojnë lirshëm në pjesën e veriut, dhe janë më të sigurt, janë bashkëpunues dhe kanë një komunikim më të mirë mes vete”, shtoi ndër të tjerash kryetari Bahiri.

Kryetari Bahtiri, tha se duke e parë situatën e krijuar ndër vite në Mitrovicë, së bashku me qytetarët kemi ndërmarrë iniciativë duke iu drejtuar Kuvendit të Kosovës përmes një peticioni për të kërkuar bashkimin e qytetit të Mitrovicës në një dhe të vetëm.

Ndërsa deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, tha se kjo masakër ka qenë e organizuar drejtpërdrejtë nga shteti serb duke thënë se është fatkeqësi e madhe që këto krime nuk janë trajtuar ende.