Republika e Kosoves

Mitrovicë e Jugut

Në prag të festës së vitit të ri, familja Xhelili bëhet me banesë

2018/12/31 - 7:15

Kryetari i komunës, Agim Bahtiri, i shoqëruar nga drejtoresha për Integrime Evropiane dhe Mirëqenie Sociale, Nazan Kërveshi, sot ishin pjesë e një akti human, me ç’rast familjes Xhelili nga Mitrovica i janë dhuruar çelesat e banesës.

Përfituesja e banesës znj. Rukije Xhelili, e cila deri më tani ka jetuar në kushte mjaft të vështira përbëhet nga 4 anëtarë, dhe sot është bërë me banesë falë zemërgjerësisë së familjes Mehmeti nga fshati Prekaz që tashmë jetojnë në fshatin Lum të Madh të Vushtrrisë.

Zahit Mehmeti tha se këtë banesë e kanë dhuruar me qëllimin e vetëm që tu realizohen tri dëshira të kahmotshme të tij, me krenari për luftën e UÇK-së, krijimin e  Ushtrinë sonë dhe dëshira për të bërë një familje me shtëpi.

“Këtë banesë e kemi dhuruar pa imponimin e askujt, vetëm me vullnetin tonë të plotë, dhe na besoni që kurrë në jetë më të lumtur nuk jemi ndierë. Falenderojmë edhe kryetarin Bahtiri, i cili është shembull për të tjerët që na përkrahu dhe na ndihmoj në dorëzimin e çelësit. Ndërsa zonjës Rukije i urojmë shëndet dhe gjitha të mirat duke e gëzuar këtë banesë në jetë”, tha Lule Miftari, gruaja e Zahit Mehmetit dhurues të banesës.

Kryetari Bahtiri, përshëndeti dhe falenderoi nga zemra familjen Mehmeti për zemërgjerësinë e tyre që të gëzoj një familje pa kulm mbi kokë, pikërisht në prag të festës së vitit të ri, po ashtu ai tha se ndjehet i lumtur kur njerëzit e vullnetit të mirë pa hezituar ndajnë para nga buxheti i tyre për të ndihmuar ata që kanë nevojë.

“Unë vërtetë ju jam mirënjohës për këtë nismë njerëzore dhe ju falënderoj shumë. Në Mitrovicë ka mjaftë familje që nuk e kanë të zgjidhur problemin e strehimit, andaj investimi që ju bënë për të ndihmuar këto familje ka domethënie të rëndësishme dhe neve na i zbut probleme në këtë fushë. Kontributi i juaj i drejtpërdrejtë në këtë drejtim, por edhe në zhvillimin ekonomik të komunës, është për tu vlerësuar shumë dhe qytetarët e Mitrovicës e bëjnë këtë. Ato do të të jenë falënderues dhe mirënjohës”, tha ndër të tjera kryetari Bahtiri.