Republika e Kosoves

Mitrovicë e Jugut

Përfundojnë vizitat sistematike mjekësore për nxënësit e klasave të para të shkollave të Mitrovicës

2024/06/20 - 11:22

Është viti i dytë që Drejtoria Komunale për Shëndetësi e Mitrovicës në kuadër të planit të saj të punës realizon me sukses projektin e vizitave sistematike mjekësore të nxënësve të shkollave fillore të Mitrovicës.
Këtë vit vizitat mjekësore janë realizuar për afro 1000 nxënës të klasave të para, ku janë vlerësuar 35 parametra shëndetësorë dhe vitalë tek nxënësit, e që janë shumë të rëndësishëm për një monitorim dhe vlerësim optimal të shëndetit dhe ecurisë së rritjes dhe shëndetit të nxënësve.
Drejtori i Drejtorisë Komunale për Shëndetësi, Fahri Shabani deklaroi se vitin e kaluar janë kryer vizitat sistematike mjekësore tek të gjithë nxënësit e shkollave të Mitrovicës prej klasës së parë deri në klasën e dymbëdhjetë, këtë vit (2024) vizitat mjekësore janë realizuar tek nxënësit e klasave të para për të vazhduar në vitin 2025 dhe çdo vit tjetër me nxënësit e klasave të para, të pesta, të nënta dhe të dymbëdhjeta.
Kështu gjatë shkollimit para universitar secili nxënës në Mitrovicë do të këtë mundësinë të vizitohet në mënyrë sistematike çdo tri vjet nga ekipi mjekësor, i cili përbëhet nga mjeku familjar, infermieri, stomatologu, asistenti i stomatologut dhe laboranti.
Drejtori Shabani shtoi se kështu, ne do të kemi nën kontroll, monitorim dhe vlerësim profesional mjekësor shëndetin dhe ecurinë e rritjes dhe zhvillimit të secilit nxënës të Komunës së Mitrovicës.