Republika e Kosoves

Mitrovicë e Jugut

QKMF-ja në Mitrovicë pranon donacion me pajisje mjekësore në vlerë mbi 10 mijë euro

2022/09/23 - 9:12

Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare “Dr. Nexhat Çuni” në Mitrovicë, dje ka bërë pranimin e pajisjeve mjekësore të dhuruara si donacion nga OJQ “Arbeiter-Samariter-Bund Deutschland e.V” (ASB), në vlerë prej 10,500.00 euro.
Drejtoria për Shëndetësi në Komunën e Mitrovicës ka bërë të ditur se ky donacion përmbante pajisje të rëndësishme si; inhalatorë, puloksimetra, sterilizatorë, EKG, monitor, oksigjenkoncentratorë, karrige lëvizëse për pacientë, aspiratorë, defibilator automatik External Portabel, si dhe boca oksigjeni.
Me rastin e ceremonisë së dorëzim- pranimit të këtij donacioni morën pjesë drejtoresha ekzekutive, Dafina Hoxha, së bashku me Rita Llulla, zyrtare ekonomike në OJQ “Arbeiter-Samariter-Bund Deutschland e.V” (ASB), të cilat u mirëpritën nga drejtori i Drejtorisë për Shëndetësi, Dr. Fahri Shabani, drejtori i QKMF-së, Dr. Fevzi Sylejmani, dhe udhëheqësi i sektorit për administratë dhe financa në Drejtorinë për Shëndetësi, Berat Jashari.
Në fjalën e saj drejtoresha ekzekutive e OJQ-së në fjalë, Dafina Hoxha, ka thënë se ndihet e lumtur që ka finalizuar projektin e donacionit të këtyre pajisjeve mjekësore, ku ndër 5 komunat përfituese është përzgjedhur edhe komuna e Mitrovicës, falë një bashkëpunimi të suksesshëm dhe shprehu bindjen që këto pajisje do të ndihmojnë në ofrimin e ndihmës shëndetësore për qytetarët.
Ndërkaq, drejtori i Drejtorisë për Shëndetësi, Dr. Fahri Shabani, ka theksuar se këto pajisje janë të mirëseardhura për QKMF-në sepse do të shfrytëzohen për përmirësimin e cilësisë së shërbimeve shëndetësore të ofruara në QKMF dhe Njësitë e saj, me ç’ rast ka falënderuar përzemërsisht përfaqësueset e OJQ “Arbeiter-Samariter-Bund Deutschland e.V” (ASB) për këtë donacion dhe për bashkëpunimin e vazhdueshëm.