Republika e Kosoves

Mitrovicë e Jugut

U mbajt mbledhja e radhës e bordit të Drejtorëve

2019/02/11 - 4:06

Drejtuar nga kryetari i komunës, Agim Bahtiri, dhe në prani të nënkryetarit, Faruk Mujka, sot është mbajtur mbledhja e radhës e Bordit të Drejtorëve, në të cilën janë diskutuar dhe shqyrtuar çështje të rëndësishme nga fushëveprimi i Bordit dhe drejtorive komunale.

Në këtë mbledhje, drejtori i Inspeksionit, Hysni Ahmeti, njoftoi ekzekutivin se është duke u punuar për respektimin e orarit të punës të subjekteve afariste, ku me këtë rast të enjten dhe të premten drejtoria e Inspeksionit në bashkëpunim me Policinë kanë ndërmarrë aksion për mbylljen e lokaleve të cilat nuk e kanë respektuar orarin e punës duke punuar pas orës 23:00 pa leje,  mirëpo disa prej tyre janë hapur pas pajisjes me leje për zgjatje të orarit të punës.

Drejtori për Kulturë, Rini, dhe Sport, Tafil Peci, njoftoi bordin lidhur me përgatitjet që kjo drejtori ka bërë për të shënuar 11 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, ku nga data 13 deri me 17 shkurt vazhdimisht do të ketë aktivitete të shumta për të gjitha moshat ndërsa i tërë qyteti i Mitrovicës do të stoliset me flamuj shtetëror duke krijuar një atmosferë festive.

Po ashtu, gjatë kësaj mbledhje zyrtari kryesor financiar, Adem Fazliu, lidhur me raportin financiar për vitin 2018 njoftoi se inkasimi i të hyrave komunale për këtë vit ka arritur në shifrën prej  2,275,478.58 euro ose 93,05% të planit vjetor si dhe krahasuar me vitin 2017 të hyrat vetanake janë më të larta për 10%, dhe buxheti për vitin 2019 do të jetë 19,807,958 euro.

Ndërsa drejtoresha e Shëndetësisë, Erseka Hasanaj Barani, theksoi se me datën 19 shkurt do të bëhet funksionalizimi i Qendrës së Mjekësisë Familjare “Bair 2”, e cila për shkak të disa dëmtimeve brenda në objekt nuk ka qenë deri më tani në funksion, mirëpo me ndihmën e Ministrisë së Shëndetësisë, kjo Qendër do të jetë model për QKMF-të tjera dhe do të japë të gjithë shërbimet e nevojshme mjekësore për të gjithë qytetarët.