Republika e Kosoves

Mitrovicë e Jugut

Zyrtarë komunal përurojnë parkingun nëntokësor me standarde evropiane në Mitrovicë

2019/01/05 - 10:48

Sot në Mitrovicë është bërë ceremonia e hapjes së parkingut nëntokësor, i cili posedon ambientet më moderne të parkimit për të gjithë drejtuesit e automjeteve.

Në këtë ceremoni ishin të pranishëm kryetari i komunës, Agim Bahtiri, nënkryetari i komunës, Faruk Mujka, zv. ministri i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Gjergj Beka, zv. ministri i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Sami Zeka, drejtorë të drejtorive komunale dhe zyrtarë tjerë komunal.

Në fjalën e tij kryetari i komunës, Agim Bahtiri, tha se ndihet i nderuar dhe i privilegjuar që është në inaugurimin dhe përurimin e një parking nëntokësor me standarde evropiane dhe moderne, i cili ka qenë mjaft i nevojshëm për qytetin tonë.

Po ashtu, kryetari Bahtiri ftoi të gjithë qytetarët që të shfrytëzojnë këtë parking nëntokësor, i cili ofron jo vetëm çmime të lira por njëkohësisht standarde dhe siguri për veturat e tyre.

Me theks të veçantë kryetari Bahtiri tha se këtë pronë komunale e ka dhënë në shfrytëzim, pikërisht duke e parë mungesën e parkingjeve ku mund të vendosen veturat, në këtë mënyrë do të lehtësohet qarkullimi i automjeteve nëpër rrugët kryesore të qytetit dhe mitrovicasit të kenë mundësi të kryejnë shërbimet në vendin e tyre pa pasur problem ku ta lënë veturën.

Ndërsa pronari i Kompanisë “NTP Tropik”, tha se ndihet shumë falënderues për mbështetjen e vazhdueshme që ka pasur nga Komuna e Mitrovicës, të cilët sipas mundësive të tyre po ndihmojnë zhvillimin e bizneseve dhe rritjen e punësimit.

Ky parking nëntokësor është ndërtuar në bazë të standardeve evropiane, i cili posedon kamera, ndriçim dhe siguri maksimale, si dhe ofron mundësi për parkim të afro 50 veturave.