Republika e Kosoves

Mitrovicë e Veriut

Pozita gjeografike

 

Mitrovica është, pa dyshim, një ndër qytetet më të rëndësishmme jo vetëm në Kosovë, por edhe në gjithë Gadishullin Ilirik e më gjerë. Shtrihet në fushën aluviale të lumenjve: Ibër, Sitnicë dhe Lushtë si dhe në shpatijet e kodrave që e rrethojnë.

Pozita gjeografike është e volitshme për shkak të relievit. Korridori veri – jug përmes luginave Ibër – Sitnicë ka rëndësi ekonomike kulturore pasi e lidh atë me shumë vende të ndryshme. Qyteti kufizohet nga shpatet e Kreshbardhës (Kopaonikut), Rogoznës, Moknës dhe Qyqavicës. Territori i kësaj komune kufizohet me komunën e Zveçanit (në pjesën veriore), me komunën e Besianës (në pjesën lindore), me komunën e Vushtrrisë (në pjesën jugore), me komunën e Skënderajt (në pjesën perëndimore) dhe me komunën e Zubin Potokut (në pjesën veriperëndimore). Në drejtim të Sitnicës lidhet me Rrafshin e Kosovës. Qytetin, nga ana jugore e ndan prej bazenit të Kosovës kodrina tufoide e Bajrit (520 m).

I tërë territori i rrethinës së Mitrovicës ka një pozitë të rëndësishme, sidomos për komunukacionin transitor. Mitrovica shtrihet në shkallën 42,53° të gjerësisë gjeografike veriore dhe në atë 25, 52° të gjerësisë gjeografike lindore si dhe në lartësinë mbidetare 508-510 m.

I tërë territori i rrethinës së Mitrovicës, siç thamë, ka një pozitë të rëndësishme, sidomos për komunukacionin transitor. Në këtë trevë priten rrugë të rëndësishme që shpiejnë në mbrendinë e Dadishullit Ilirik, në bregdetin Adriatik, në Detin Egje dhe në Detin e Zi. Në këtë drejtim kalon edhe hekurudha që lidh pjesën jugore dhe veriore të Gadishullit Ilirik. Territori i komunës së Mitrovicës, së bashku me Zveçanin, sipas shënimeve të vitit 1987, ka pasur 56 zona kadastrale me një sipërfaqe prej 45.918 ha, 96 ari, 55 m. Si pjesë mikroregjionale e fushëgropës së Kosovës, bazeni i Mitrovicës nga veriu mbyllet nga kodra dominante vullkanike e Zveçanit (799 m), Kodra e Sokolit (918 m) dhe malit Majdan (1268 m). Nga lindja Mitrovica kufizohet me kodrën e Lisit (665 m), nga juglindja me Kodrën e Shkemzetit (Cërrnushës, 1010 m) dhe në perëndim me kodrën e Zmiqit (822 m) dhe të Gërrmovës (782 m). Karakteristikat dominante morfologjike të territorit të komunës së Mitrovicës, janë malore – kodrinore. Në rrethinën më të gjerë të Mitrovicës mbizotëron peizazhi malor, ku jetojnë mbi 120.000 banorë.

 

RELIEVI

 

Relievi i territorit të komunës së Mitrovicës përbëhet nga disa tërësi, megjithatë, relievi malor formon fizionominë kryesore të kësaj hapësire gjeografike. Kategorisë së relievit kodrinor dhe malor i takojnë pjesa më e madhe e sipërfaqes, sidomos treva e Shalës së Bajgorës (në lindje), prandaj komuna e Mitrovicës është trevë më tepër malore sesa fushore. Relievi karakterizohet nga një plastikë dinamike, sepse lumenjtë malorë bashkë me përroje me energji të madhe kanë bërë erozionin duke formuar lugina relativisht të thella, të cilat ndajnë malet e Shalës së Bajgorës njërin prej tjetrit në forma të izoluara malore dhe kodrinore. Kuptohet, pamjes së tyre morfologjike të tanishme i ka paraprirë predispozicioni i lëvizjeve tektonike që ndodhën në kohën e tercierit kur mbi shtresat gëlqerore janë formuar shtresa të trasha  të shkëmbinjve vullkanikë, të cilët, si rezultat i proceseve postvullkanike janë bartëse të xehes së plumbit e të zinkut. Në pikëpamje gjeologjike dhe morfologjike territori i rrethinës së Mitrovicës bën pjesë në sistemin dinarik. Shala e Bajgorës është e vendosur në lindje të Mitrovicës. Është rajon malor i ulët (1600 m). Dallohet për ujërat e shumta e kullotat e pasura.

 

HIDROGRAFIA

Komuna e Mitrovicës, në përgjithësi ka pasuri të mjaftueshme ujërash. Lumenjtë kryesorë janë: Ibri, Sitnica, Lushta dhe Trepça. Ibri hyn në territorin e Kosovës 10 km poshtë fshatit Ribariq. Sipërfaqja e pellgut ujëmbledhës në territorin kosovar është 3800 km². Gjatësia e përgjithshme është 280 km, por vetëm 85 km është gjatësia që përshkon Kosovën (rreth 15 km komunën e Mitrovicës). Pellgu ujëmbledhës i përket Moravës Perëndimore. Deri në Mitrovicë ka drejtim VP – JL, ku derdhet Sitnica. Lugina në këta sektorë është e ngushtë. Lumi i Ibrit ka këto degë: Sitnica, Lushta, Trepça, Bistrica etj. Lugina e Ibrit ka peizazh piktoresk. Përgjatë kësaj kalojnë rrugë komunikacioni. Më kryesorja është magjistralja e Adriatikut, e cila lidh Mitrovicën me Malin e Zi. Që nga lufta e fundit (1999) qarkullimi nëpër të është zvogëluar shumë. Një degëzim tjetër i rrugës lidh Rashkën me Kralevën. Sasia mesatare vjetore e ujit në pellgun e ujëmbledhësit të lumit të Ibrit është 1.146,33 milion m³. Thellësia e ujit është e ndryshme për arsye se Ibri e ka formuar shtratin e vet në shtresa të ndryshme gjeologjike. Në zonën kodrinore, me qëllim të përmirësimit të regjimit të rrjedhjes së lumit Ibër dhe shfrytëzimit racional dhe kompleks të ujërave të tij, është krijuar Liqeni i Gazivodës, vëllimi i ujit të të cilit është 390.000 000 m³. Uji i tij është planifikuar të përdoret, pos për pije, edhe për ujitje. Me këtë potencial të mjaftueshëm hidrografik është ndërtuar Liqeni i Gazivodës, i cili është ndërtuar në sistemin e Ibrit dhe ka fuqi të vendosur 34 Mw. Afër vendit ku derdhet në Ibër, Sitnica merr lumin e Trepçës (14 km), i cili buron në Shalë të Bajgorës. Lumi Lushtë (19 km) është degë e djathtë e Ibrit dhe buron në kodrën e Lubovecit (800 m) dhe kalon nëpër grykën e vet të prerë në gëlqerore në mes të kodrinave të Bajrit e të Shipolit dhe, duke kaluar nëpërmes qytetit (pjesa nga ura e Lushtës e deri në derdhje është e mbuluar dhe mbi të cilën kalon rruga e asfaltuar mespërmes qytetit) derdhet në Ibër. Në Lushtë afër Gurrës së Brabanikut, në sipërfaqen e tokës vrujon një burim uji të thartë sulfurik nën presionin e gazrave të brendshme që gjenden nën horizontet gëlqerore. Sitnica  është lumi kryesor në Fushën e Kosovës. Sipërfaqja e pellgut ujëmbledhës është 286 m². Relievi i këtij pellgu është i butë. Gjatësia e lumit është 110 km dhe ndodhet tërësisht në territorin e Kosovës. Si pikënisje e lumit shërben burimi i Zhegovcit, i cili ndodhet në malin me të njëjtin emër (në pjesën jugore të Kosovës). Lumi i Sitnicës derdh në atë të Ibrit mesatarisht 15 m³/s. Është lumë kryesisht fushor, ndaj rrjedhja e tij është e qetë, shtrati është i cekët e me meandrime. Gjatë vërshimeve lumi del nga shtrati dhe e ndërron atë.

 

BIMËSIA

 

Treva e Mitrovicës është mjaft e pasur me bimësi. Ajo ka sipërfaqe të mëdha pamjesh të ndryshme. Pos arave, livadheve, kullosave dhe sipërfaqeve malore, ku rriten bimë e drunj të ndryshëm, treva e Mitrovicës, një pjesë e rrethinës është e zhveshur. Pyje më të larta gjenden në Shalë të Bajgorës, kurse pjesa tjetër është sipërfaqe e pyjeve të degraduara, shkurrajat, çufrrajat, që rriten spontanisht. Prej drunjve rriten: ahu, qarri, bungu, pisha, plepi, shelgjja. Në Shalë të Bajgorës, për shkak të klimës, dimrave të gjatë e të ashpër e verërave të shkurtra e të freskëta, pos patates e tërshërës, të lashtat e tjera nuk rriten as nuk kultivohen. Megjithatë toka e butë buzë Ibrit e Sitnicës etj. është mjaft pjellore dhe kultivohet gruri, misri, tërshëra, thekra, elbi, pjepri, shalqini, speci, lakra, trangulli, jonxhja etj.Vlen të theksohet se, përveç faktorëve tjerë, në dëmtimin e bimësisë pyjore ka ndikuar edhe hapja e rrugëve pyjore.

 

FAUNA

Dikur treva e Mitrovicës ka pasur një faunë mjaft të pasur. Në zonat kodrinore dhe malore kanë jetuar: ujku, dhelpra, lepuri, vjedulla, ariu, derri i egër, sorkadha, pula e egër. Prerja e pyjeve pa kriter ka bërë që numri i tyre të bie shumë. Regjioni i Shalës së Bajgorës, dhe jo vetëm ai, ofron kushte për zhvillimin e gjuetisë dhe të turizmit të gjuetisë. Në regjionin e Mitrovicës në periudhën e fundit, për shkak të ndotjes së rrethit ekologjik, janë rralluar edhe kafshët shtëpiake. Numri i lopëve, deleve, dhive, kuajve, buallicave etj. ka rënë shumë. Ka rënë shumë edhe numri i shpezëve: pulave, patave etj. Dikur në lumenjtë e Mitrovicës (Ibër e Sitnicë) ka pasur shumë peshq. Përgjatë këtyre lumenjve është peshkuar, mirëpo sot, për shkak të ndotjes së ujit, numri më i madh i peshqve është zhdukur.