2018/07/04 - 6:59
Kryetari i komunës, z. Svetislav Ivanovic – me bashkëpunëtorët e tij – e ka vizituar familjen e Ramadan Sylejmanit, nga lagja Sallkaj e fshatit Llabjan e cila jeton në kushte mjaft të vështira ekonomike dhe të objektit të banimit. Pas marrjes së informatës lidhur me gjendjen e kësaj familjeje, nga Lirim Gashi, kryetari ka dalë në vendngjarje ku dhe është bindur me kushtet e rënda të familjes Sylejmani.
Kryefamiljari, Ramadan Sylejmani, e ka njoftuar kryetarin e komunës, Z. Svetislav Ivanovic me gjendjen e familjes së tij pesë anëtarshe, e cila jeton nga ndihma sociale dhe bënë jetë në një shtëpi të vjetër dhe në gjendje të mjerë që nuk ofron as kushtet elementare për jetesë.
Duke e parë gjendjen e familjes Ramadani, kryetari z. Ivanovic, premtoi se do të angazhohet që brenda mundësive financiare të komunës së Novobërdës ta ndihmojë këtë familje për përmirësimin e jetës së saj e sidomos për tre fëmijët e saj.