Republika e Kosoves

Novobërdë

NJOFTIM

2020/04/23 - 10:28

Bazuar në Vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për Pakon Emergjente Fiskale, Nr.01/19
të datës 30.03.2020 dhe Vendimin nr.31/2020 të datës 03.04.2020 e Ministrit të Financave dhe
Transfereve për Aprovimin e Planit Operacional për Pakon Fiskale, Divizioni i Ndihmave Sociale
në kuadër të Ministrisë së Financave dhe Transfereve ka përgatitur këtë njoftim për të gjithë
qytetarët me kushte të rënda sociale që mund të përfitojnë pagesë mujore në vlerë prej njëqind
tridhjetë euro (130 €) sipas Masës nr.15, e cila është e përfshirë në kuadër të Planit Operacional për
Pakon Fiskale Emergjente. Gjithashtu në kuadër të këtij njoftimi janë paraqitur informatat për
familjet që mund të përfitojnë, parakushtet që duhet të plotësohen nga parashtruesi i kërkesës për të
përfituar, metoda e aplikimit, afati aplikimit, sqarimet për plotësimin e aplikacionit dhe informatat
për dorëzimin e aplikacionit.
I. FAMILJET QË PËRFITOJNË
Sipas Masës nr.15 të drejtën e përfitimit në pagesë të asistencës mujore në vlerë prej njëqind e
tridhjetë (130) euro për periudhën Prill-Qershor 2020, e kanë familjet të cilat nuk e kanë asnjë të
punësuar (sektorin publik dhe privat), nuk pranojnë asnjë pagesë mujore nga Buxheti i Republikës
së Kosovës (pension apo asistencë tjetër sociale), aplikanti është i lajmëruar si i papunë në
institucionin kompetent dhe është banor rezident në Republikën e Kosovës.
II. PARAKUSHTET PËR APLIKIM
a) Parakusht i parë për të përfituar familja asistencën mujore në vlerë prej njëqind e tridhjetë
euro (130), është që aplikuesi dhe të gjithë anëtarët me të cilët jeton në bashkësi familjare
duhet të jenë të papunësuar. (Edhe nëse aplikoni, nuk mund të përfitoni).
b) Parakusht i dytë është që asnjëri nga anëtarët e familjes nuk duhet të jetë pjesë e përfitimit
nga cilado prej skemave sociale dhe pensionale të financuara nga Buxheti i Shtetit. (Edhe
nëse aplikoni, nuk mund të përfitoni).
c) Parakushti tretë është që parashtruesi i kërkesës (aplikanti) duhet të jetë i regjistruar në
Zyrat e Punësimit dhe të ketë statusin e të papunësuarit. Për qytetarët të cilët kanë qenë të
regjistruar të papunë dhe kanë deklaratë të papunësisë një gjë e tillë nuk ka nevojë të
përseritet, ndërsa ata të cilët nuk janë të regjistruar duhet të regjistrohen dhe këtë mund ta
bëjnë duke u regjistruar në platformën online të Agjencisë së Punësimit të Republikës së
Kosovës apo duke aplikuar drejtpërdrejt në Zyrën e Punësimit. (Aplikacioni juaj nuk do t
mund te shqyrtohet dhe aprovohet pa u plotësuar edhe ky parakusht).

III. METODA DHE AFATET E APLIKIMIT
Nëse keni plotësuar tre (3) parakushtet për aplikim të përshkruara më lartë sipas pikës a), b) dhe
c), mund të aplikoni për të përfituar nga Masa nr.15 duke përzgjedhur njërën prej metodës dhe
mënyrës së aplikimit si në vijim;
a) Aplikimi Online – duke përdorur formularin elektronik. Ju mund të shkarkoni formularin e
duhur nga faqja zyrtare e internetit të Ministrisë së Financave dhe Transfereve. Formulari
duhet të plotësohet dhe dërgohet në e-mail adresën zyrtare pako15@rks-gov.net, duke
bashkangjitur ne e-mail të skanuar (apo fotografuar) kopjen e letërnjoftimit Kjo është
mënyra e rekomanduar pasur parasysh situatën e pandemisë dhe emergjencës shëndetësore.
b) Aplikimi Fizik – aplikimi mund të bëhet përmes Qendrës për Punë Sociale të komunës
përkatës ku jeni duke banuar, duke marrë Formën e aplikacionit tek Zyrtari i Ndihmës
Sociale dhe pasi që të keni plotësuar dhe nënshkruar formën e aplikacionit së bashku me
kopjen e letërnjoftimit të parashtruesit të kërkesës duhet të dorëzoni në Qendrën për Punë
Sociale tek Zyrtari i Ndihmës Sociale.
Aplikimi në njërën prej metodave të lartshënuara mund ta bëni më së largu deri me 15 Maj 2020,
apo çfarëdo afati të mëvonshëm që mund të përcaktohet me vendim nga Ministria e Financave dhe
Transfereve.
IV. PLOTËSIMI I FORMËS SË KËRKESËS/APLIKACIONIT
Pasi të keni përzgjedhur njërën nga metodat e aplikimit regjistrimin online apo aplikimin fizik
duhet t’i kushtoni vëmendje plotësimit të Formës së aplikacionit, i cili ka katër (4) pjesë;
a) Të dhënat e përgjithshme-në këtë pjesë duhet të përfshihen të dhënat e komunës ku
jetoni, vendbanimi (emri qytetit apo fshatit), lagja, adresa, nacionaliteti, gjuha që flisni,
telefoni dhe email. Të gjitha të dhënat në këtë pjesë janë obligative të plotësohen duke
përfshirë email-in e juaj nëse jeni duke aplikuar online përmes formularit elektronik.
b) Të dhëna e parashtruesit të kërkesës-në këtë pjesë duhet të përfshihen të dhënat e numrit
personal të letërnjoftimit, emri dhe mbiemri i aplikuesit dhe deklarimi nëse jetoni në
bashkësi familjare. Bashkësi familjare nënkupton familja e ngushtë dhe të gjithë anëtaret të
tjerë të familjes me të cilët jetoni dhe veproni brenda një kulmi të shtëpisë apo banesës.
c) Të dhënat e anëtarëve të familjes-në kuadër të kësaj pjesë duhet të përfshihen të dhënat e
të gjithë anëtarëve të bashkësisë familjare me të cilët jetoni, duke regjistruar të dhënat e
numrit të letërnjoftimit, emrin dhe mbiemrin për çdo njërin anëtarë të bashkësisë familjare
dhe afërsinë familjare që keni ju si parashtrues i kërkesës.
d) Deklaratë-në kuadër të kësaj pjesë janë të përfshira tre (3) pyetje, për të cilat ju si
parashtrues i kërkesës/aplikues, me rastin e nënshkrimit të aplikacionit pajtoheni dhe
konfirmoni se të dhënat tuaja të përfshira në aplikacion dhe të anëtarëve të familjes janë të
vërteta, të sakta dhe mund të shfrytëzohen për verifikim dhe shkëmbim me institucionet
tjera qeveritare, duke kuptuar edhe pasojat juridike nga deklarimi i pavërtetë.
Të gjitha të dhënat e parashtruesit të kërkesës dhe anëtarëve të familjes të regjistruara në kuadër të
formës së aplikacionit duhet të janë të vërteta dhe pasi të keni plotësuar këtë formë të aplikacionit,
ju duhet të nënshkruani dhe vendosni datën e aplikimit. Nënshkrimi në formën elektronike bëhet
duke vendosur emrin dhe mbiemrin tuaj në rubrikën e caktuar në formën e elektronike.
V. DORËZIMI DHE DËRGIMI I APLIKACIONIT
Dorëzimi i aplikacionit mund të bëhet siç përcaktohet në piken III të këtij njoftimi. Për sqarime ju
mund të shkruani në email dhe kontaktoni me zyrtaret përgjegjës në këtë e-mail adresë
sns@rks-gov.net dhe në këta numra telefoni 038-212 504 dhe 038-211 010