2024/11/28 - 11:43
Nën patronatin e Kryetarit të Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, dhe nën përkujdesjen e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, është mbajtur manifestimi qendror në Shtëpinë e Kulturës “Xhavit Haziri”.
Kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, në fjalën e tij ka uruar të gjithë të pranishmit për këtë ditë të madhe, duke theksuar rëndësinë e unitetit si vlerë thelbësore për realizimin e aspiratave tona kombëtare. Ndër të tjera, theksoi se: “Përpjekjet për liri dhe shtetndërtim janë vlera që duhet të ruhen dhe kultivohen, në shenjë respekti për paraardhësit tanë, për të tashmen dhe të ardhmen që po ndërtojmë. Liria që sot e gëzojmë nuk na është dhuruar; ajo është fituar me sakrificat e burrave dhe grave më të mirë të këtij vendi.”
Manifestimi vazhdoi me një program të pasur artistik, organizuar nën përkujdesjen e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, në bashkëpunim me Ansamblin e Këngëve dhe Valleve “AKV Qyteti i Obiliqit”. Këngët dhe vallet tradicionale, të interpretuara nga Deola Aliu, Alena Xhota, Albion Krasniqi dhe Vesad Mjeku, krijuan një atmosferë festive dhe emocionuese.
Kryetari Gashi falënderoi për pjesëmarrjen bashkëqytetarët e nderuar!
Gëzuar festat e Nëntorit – Ditën e Flamurit, daljen në publik të UÇK-së dhe ditëlindjen e Komandantit Legjendar të UÇK-së, Adem Jashari!
Lavdi të përjetshme dëshmorëve të lirisë!
Lavdi Komandantit Legjendar, Adem Jashari!
Zyra për Informim, Obiliq