Republika e Kosoves

Obiliq

Mbahen dëgjimet Buxhetore Komunale për vitin 2025-2027

2024/06/28 - 10:19

Në sallën e Kuvendit Komunal në Obiliq, sot janë mbajtur dëgjimet buxhetore për Kornizën Afatmesme Buxhetore për vitin 2025 dhe parashikimet për vitet 2026-2027. Ky proces synon të përfshijë qytetarët dhe zyrtarët në diskutime të hapura mbi planifikimin dhe alokimin e fondeve për zhvillimin e projekteve komunale.
Në këtë debat publik ishte e pranishme drejtoresha për Ekonomi dhe Financa, znj. Zarife Behluli, Shefi i Kabinetit, z. Burim Gërguri, drejtorë të Komunës, zyrtarë komunal, qytetarë dhe OJQ.
Drejtoresha për Buxhet dhe Financa, znj. Zarife Behluli, para të pranishmëve prezantoi raportin e zhvillimit të projekteve kapitale në Komunën e Obiliqit dhe Kornizën Afatmesme Buxhetore për vitin 2025-2027 duke theksuar rëndësinë e planifikimit të kujdesshëm të buxhetit për të siguruar financimin e projekteve që përmirësojnë infrastrukturën, edukimin, shëndetësinë dhe cilësinë e jetës për banorët e Obiliqit.
Gjatë dëgjimeve, qytetarët patën mundësinë të parashtrojnë pyetje dhe të japin sugjerime mbi prioritetet buxhetore. Diskutimet u përqendruan në projekte të ndryshme që janë në zhvillim e sipër, si dhe në projektet e planifikuara për vitet e ardhshme. Këto përfshijnë ndërtimin e rrugëve, përmirësimin e shërbimeve publike dhe investimet në infrastrukturën arsimore dhe shëndetësore.
Në fund të takimeve, Shefi i Kabinetit, z. Burim Gërguri, falënderoi të gjithë të pranishmit për pjesëmarrjen dhe angazhimin e tyre. Ai theksoi se dëgjimet buxhetore janë një hap i rëndësishëm drejt transparencës dhe përfshirjes së komunitetit në vendimmarrjen komunale.