Republika e Kosoves

Obiliq

Kryetari Gashi priti në vizitë Kryetaren e Kuvendit znj.Osmani

2020/06/22 - 4:57

Kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, ka mirëpritur sot në vizitë Kryetaren e Kuvendit të Republikës së Kosovës, znj.Vjosa Osmani, së bashku me nje grup të deputetëve.
Me një minutë heshtje për tragjedinë që ndodhi ditë më parë, për dy fëmijët të fshatit Milloshevë, filloi takimi, me të rinjët e Qendrës Rinore dhe qytetarët e Obiliqit, ky takim është organizuar për të diskutuar për sfidat mjedisore dhe ndikimi i tyre në shëndet, duke patur parasysh që në Komunën e Obiliqit në 72% të territorit operon Korporata Energjitike e Kosovës.
Kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, para të pranishmëve theksoi se Ligji për Obiliqin duhet të plotësohet me akte nën ligjore, ai u shpreh se: “Obiliqi, si qytet që dhuron dritë për të gjithë Kosovën, është qyteti i cili ka më së shumti dëme mjedisore por edhe shëndetësore, nga kjo edhe ka rrjedhë krijimi i një ligji i cili e trajton si zonë e veçantë, me fillimin e implemetimit të Ligjit për Obiliqin është një shpresë për qytetarët por ka ende shumë për të bërë në implementimin e akteve nën ligjore, prezenca e deputetëve është tregues që ne bashkarisht duhet të punojmë në implementimin e plotë të Ligjit për Obiliqin”
Ndërsa Kryetarja e Kuvendit znj.Osmani, u shpreh se ambienti duhet të jetë në top-prioritetet e politikës kosovare dhe duhet të shihet si potencial për zhvillimin ekonomik në të ardhmen.
Përmes këtij takimi, u trajtuan tema e Ligjit për Obiliqin, deponia e hirit dhe mbeturinave si dhe Liqeni i Kaltërt, ku përmes kontributit të gjithë secilit, njëzërit u potencua se duhet të punohet më shumë nga akteret e nivelit qendror për qytetarët e Obiliqit.
Vizita vazhdoi në Korporatën Energjitike të Kosovës, Kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, së bashku me Kryetaren e Kuvendit znj.Vjosa Osmani dhe deputetët, vizituan Liqenin e Kaltërt dhe divizionin e prodhimit të thëngjillit, ku u mirëpriten nga u.d drejtori ekzekutiv i KEK-ut, z.Luigj Imeri.
Gjatë kësaj vizite, Kryetari Gashi, njoftoi znj.Osmani dhe deputetët, për përkushtimin dhe angazhimin e komunës së Obiliqit në përkrahjen e kërkesave të qytetarëve të Obiliqit, siç është çështja e punësimit e që edhe me ligjin për Obiliqin specifikohet qartë që banorët e Obiliqit në kushte të barabarta do të kenë prioritet në punësim, po ashtu projektet e përbashkëta me KEK-un, ku u shpreh se “vullnetin ynë si komunë në bashkëpunim me KEK-un dhe ministritë përkatëse nuk do të mungojë, me qëllim që të ruajmë shëndetin por edhe dinjitetin e qytetarëve të Obiliqit.”
Në fund të kësaj vizite, Kryetari Gashi falënderoj Kryetaren znj.Osmani dhe grupin e deputetëve, për vizitën dhe kontributin e dhënë në çështjen e ambientit, duke patur parasysh që Komuna e Obiliqit, atakohet më së shumti në aspektin ambiental me ndikim në shëndet.