Republika e Kosoves

Obiliq

Kryetari Gashi, uron Ditën e Veteranëve:“Kjo ditë le të shërbejë si thirrje për realizimin e idealeve”

2020/12/30 - 10:29

Kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, me rastin e 30 dhjetorit-Ditës së Veteranëve, ka theksuar se në këtë ditë, “përkujtohen me krenari dhe respekt luftëtarët shqiptarë të të gjitha kohërave, shokët e rënë, lavdinë dhe fitoren e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.“
Ai, po ashtu, është shprehur se:”Kjo ditë sjellë në kujtesën tonë edhe betejën e parë të familjes së komandantit legjendar Adem Jashari, aty ku nisi rrugëtimi i lirisë, pavarësisë dhe shtetndërtimit!”
Duke uruar këtë ditë, për të gjithë bashkëluftëtarë, kryetari Gashi, ka kërkuar që kjo ditë të shërbejë si thirrje për realizimin e idealeve të atyre që ranë për liri;“kjo ditë le të shërbejë si thirrje që të vazhdojmë të punojmë së bashku në realizimin e idealeve të atyre që ranë për çlirimin e vendit!“- ka thënë kryetari Gashi.
Shkrimi i plotë i Kryetarit Gashi:
“Të nderuar bashkëluftetarë,
Sot, në kushte normale, do të ishim bashkë për të shënuar, Ditën e Veteranit, ditën tonë të përbashkët, si rrjedhojë e situatës me pandemi, po e shënojmë të ndarë por më të bashkuar se kurrë, duke kujtuar me krenari dhe respekt luftëtarët shqiptarë të të gjitha kohërave, shokët e rënë, lavdinë dhe fitoren e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Kjo ditë sjellë në kujtesën tonë edhe betejën e parë të familjes së komandantit legjendar Adem Jashari, aty ku nisi rrugëtimi i lirisë, pavarësisë dhe shtetndërtimit!
Veteranët e luftës së UÇK-së, dëshmoret dhe heronjtë e saj, janë shembull i sakrificës dhe luftës së pastër për liri, që meritojnë dhe do ta kenë respektin e përhershëm ndër breza dhe kjo ditë le të shërbejë si thirrje që të vazhdojmë të punojmë së bashku në realizimin e idealeve të atyre që ranë për çlirimin e vendit!
Bashkëluftetarë e miq, Urime kjo ditë e veçantë-Dita e Veteranit!
Xhafer Gashi“