Republika e Kosoves

Pejë

Aktiviteti dyditor “Dyert e hapura” 

2018/10/05 - 8:49


Sot, është mbajtur dita e dytë e aktivitetit dyditor “Dyert e hapura”, të cilën e ka udhëhequr Kryesuesi i Kuvendit  Komunal të Pejës, z.Islam Husaj, i cili i përshëndeti të pranishmit dhe theksoi se çdo vit e kemi bërë praktik për nder të Ditës Ndërkombëtare të Informimit  dhe Komunikimit, pra 28 Shtatorit të  organizojmë takimin me qytetarë, me ç’rast  qytetarët e interesuar mund të komunikojnë me Drejtorët e Komunës së Pejës  për të arriturat, për punët, të cilat i kanë përfunduar, për planet, që i kanë në të ardhmen, pra kërkojmë nga Ju të jeni shumë të hapur në këtë takim, ku  mund t’ju parashtroni pyetje Drejtorëve për çështjet, të cilat ju interesojnë, pra  brenda këtyre dy ditëve Drejtorët e Komunës së Pejës kanë qenë në dispozicionin  e qytetarëve   për t’i dëgjuar  idetë,  brengat dhe sugjerimet e tyre,  si dhe kanë  zhvilluar  dialog për një vizion të përbashkët për Pejën. 
 
Gjatë ditës së sotme Drejtorët kanë raportuar për punët e drejtorive të tyre, të cilat i kanë përfunduar  dhe për punët , të cilat do t’i realizojnë  në të ardhmen e afërt.
 
Në pjesën e parë të takimit kanë raportuar për punët e tyre dhe i janë përgjigjur pyetjeve të qytetarëve Drejtoresha e Drejtorisë për Zhvillim Ekonomik, znj.Xhenet Syka dhe Drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Hidroekonomisë, z.Mehdi Mulaj, ndërsa në pjesën e dytë të takimit kanë raportuar Drejtori i Drejtorisë së Inspekcionit, z.Leutrim Murtezaj, Drejtoresha e Drejtorisë për Punë Komunale dhe Shërbime Publike, znj.Xhevahire Çeku dhe Drejtori i Drejtorisë së Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor, z.Rajan Arapi.
 
Gjatë këtyre dy ditëve qytetarët e Pejës kanë pasur mundësi të diskutojnë me përfaqësuesit e organeve ekzekutive dhe legjislative pa caktim paraprak të takimit, pra nëpërmjet këtij aktiviteti i kanë paraqitur shqetësimet dhe brengat e tyre.​