Republika e Kosoves

Pejë

Aktiviteti “Dyert e hapura” 

2018/10/03 - 2:26

Komuna e Pejës edhe këtë vit  i ka hapur dyert për një komunikim dhe diskutim të hapur  me qytetarë duke organizuar aktivitetin dyditor “Dyert e hapura” të Komunës.
Sot është mbajtur dita  e parë e takimit, të cilën e ka udhëhequr Kryesuesi i Kuvendit  Komunal të Pejës, z.Islam Husaj, i cili i përshëndeti të pranishmit dhe theksoi se brenda këtyre dy ditëve Drejtorët e Komunës së Pejës do të jenë në dispozicionin  e qytetarëve   për t’i dëgjuar  idetë,  brengat dhe sugjerimet e tyre,  si dhe do të zhvillojnë dialog për një vizion të përbashkët për Pejën.
Gjatë ditës së sotme Drejtorët kanë raportuar për punët e drejtorive të tyre, të cilat i kanë përfunduar  dhe për punët , të cilat do t’i realizojnë  në të ardhmen e afërt.
Në pjesën e parë të takimit kanë raportuar për punët e tyre dhe i janë përgjigjur pyetjeve të qytetarëve Drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, z.Jeton Abazaj,  Drejtori i Drejtorisë së Administratës, z.Fatmir Asllani dhe Drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, z.Petrit Loci, në pjesën e dytë të takimit kanë raportuar Drejtori i Drejtorisë së Arsimit, z.Besim Avdimetaj dhe Drejtori i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z.Engelbert Zefaj, ndërsa në pjesën e fundit kanë raportuar Drejtori i Drejtorisë për Gjeodezi dhe Kadastër, z.Mustaf Nila dhe Drejtori i Drejtorisë për Çështje Pronësore – Juridike, z.Edmond Shala.
Qytetarët e Pejës do të kenë mundësi edhe nesër, prej orës  09:00 deri në ora 13:00 të diskutojnë me përfaqësuesit e organeve ekzekutive dhe legjislative pa caktim paraprak të takimit, pra nëpërmjet këtij aktiviteti do të kenë mundësi t’i paraqesin shqetësimet dhe brengat e tyre.