Republika e Kosoves

Pejë

Fushata “Dhuna nuk arsyetohet” 

2018/10/31 - 1:23

Drejtoria e Policisë në Bashkësi dhe Preventiv DPP – Prishtinë  mbështetur nga Zyra Qendrore e OSBE-së në Prishtinë kanë organizuar fushatën “Dhuna nuk arsyetohet”. 
 
Të pranishëm në fushatë kanë qenë  Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, Drejtori Rajonal i Policisë në Pejë, Kolonel Shaban Shala, Kryeprokurori, Agim Kurmehaj dhe zyrtarja e OSBE-së, Shpresa Mulliqi.
 
Kryetari i Komunës së Pejës, z.Gazmend Muhaxheri i përshëndeti të pranishmit dhe theksoi se dhuna është një fenomen, i cili duhet të luftohet në shoqëri se dhuna në familje krijon dhunë edhe në shoqëri për këtë arsye është shumë e rëndësishme, që të rinjtë të jenë promotor që në familjet e tyre të angazhohen  me dashurinë e tyre të kontribuojnë që prindërit e tyre të kenë sjellje, e cila i duhet shoqërisë. Një familje e shëndoshë është themel i një shoqërie të shëndoshë, e cila  kontribuon në mirëqenien dhe zhvillimin e shoqërisë në përgjithësi.
 
Fushata ” Dhuna nuk arsyetohet” ka vazhduar me ekspozitën e nxënësve të shkollës së mesme të arteve aplikative, me performancë artistike, me shpërndarjen e fletushkave nga ana e Policisë së Kosovës, si  dhe shpërndarjen e materialeve informuese mbi dhunën. ​