Republika e Kosoves

Pejë

INAUGURIMI SOLEMN I OBJEKTIT TË RI SHËNDETËSOR – QENDRA E MJEKËSISË FAMILJARE – QMF 3      

2024/06/27 - 3:30

 

Kryetari i Komunës së Pejës, z.Gazmend Muhaxheri, Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, z.Lumir Abdixhiku dhe Shefi i Qendrës së Mjekësisë Familjare – QMF 3, në Kapeshnicë, Zatra dhe Karagaq, z.Ajfer Muhaxheri kanë inauguruar objektin e ri shëndetësor – Qendrën e Mjekësisë Familjare – QMF 3, në Kapeshnicë, Zatra dhe Karagaq të Pejës.

“Sot, po e inaugurojmë Qendrën e Mjekësisë Familjare – QMF 3, e cila është model për Republikën e Kosovës e ndërtuar komplet me buxhetin e Komunës së Pejës nga të hyrat vetanake. Shteti nuk mbahet me propagandë, por duhet të mbahet me punë dhe me hapjen e vendeve të reja të punës, si dhe me mundësi për zhvillim. Me ndërtu ambulanta si kjo, shkolla, të cilat i kemi ndërtu ne, rrugë dhe ndriçim publik është Lidhja Demokratike e Kosovës – LDK dhe Kryetari Abdixhiku.”- tha Kryetari i Komunës së Pejës, z.Gazmend Muhaxheri.

“Sot, jemi mbledhur në hapjen e objektit të ri shëndetësor – Qendrës së Mjekësisë Familjare – QMF 3, siç po e shihni është një objekt i ndërtuar nga fillimi për të shërbyer si Qendër e Mjekësisë Familjare në kuadër të tri lagjeve të rëndësishme të qytetit të Pejës për lagjen Kapeshnica, Zatra dhe Karagaqi, të cilat kanë një numër të konsiderueshëm të banorëve. Kjo qendër do t’i plotësoj të gjitha kushtet e nevojshme për një Qendër të Mjekësisë Familjare, ku do të jepen të gjitha shërbimet, të cilat parashihen në kuadër të shëndetit parësor – shëndetësor. Ju falënderoj të gjithëve për pjesëmarrje dhe stafit të QMF 3, ju uroj të gjitha të mirat në punë.”- tha Drejtori për Shëndetësi në Komunën e Pejës, z.Petrit Loci.

“Shfrytëzoj rastin t’i falënderoj të gjithë ata, të cilët kanë bërë përjetësimin e Qendrës së Mjekësisë Familjare – QMF 3, ku do të trajtohen banorët e lagjeve Karagaqi, Kapeshnica dhe Zatra. E dimë s’e çdo projekt i miratuar, i realizuar, i çfarëdo mënyre qoftë e ka meritën e vet. Ky projekt i fushës së shëndetësisë e ka një simbol me një specifikë të veçantë dhe kjo Qendër e Mjekësisë Familjare duhet të jetë model për të gjitha Komunat e Kosovës. E gëzofshim!” – tha Drejtoresha e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Pejë, znj.Myrvete Salihi.

“Në emër të stafit të Qendrës së Mjekësisë Familjare – QMF 3, ju falënderoj për kontributin e madh, që e keni dhënë për përjetësimin e kësaj qendre, po ashtu uroj, që të kemi sa më pak punë, sa më pak pacienta të sëmurë.” – tha Shefi i Qendrës së Mjekësisë Familjare – QMF 3, z.Ajfer Muhaxheri.

Hapja e Qendrës së Mjekësisë Familjare – QMF 3 është një nga investimet më të rëndësishme të Komunës së Pejës në infrastrukturën e objekteve shëndetësore, që shërben si rrënjë e kujdesit shëndetësor për komunitetin, duke ofruar qasje të lehtë dhe afatgjatë në shërbime mjekësore themelore për qytetarët e Komunës së Pejës, përkatësisht banorëve të lagjeve Karagaqi, Kapeshnica dhe Zatra.

Duke pas parasysh s’e çdo ditë e më shumë nevojat për kujdes shëndetësor primar, po janë shumë të rëndësishme, pra një Qendër më shumë e Mjekësisë Familjare e bën të mundur marrjen e kujdesit të përshtatshëm dhe të qëndrueshëm shëndetësor për të gjithë banorët e kësaj pjese të qytetit.