Republika e Kosovës
Republika e Kosoves

Pejë

U mbajt takimi i Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) Nr. 02/2020

2020/04/30 - 4:31

Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi – KKSB i kryesuar nga Kryetari i Komunës së Pejës, z.Gazmend Muhaxheri ka mbajtur takimin e dytë për këtë vit.

Takimin e hapi Koordinatori i KKSB-së, z.Engelbert Zefaj, i cili pasi e konfirmoj pjesëmarrjen e prezantoj edhe rendin e ditës, i cili u aprovua nga anëtarët e rregullt.

Kryetari Muhaxheri i përshëndeti të pranishmit dhe ndër të tjera tha: “​Ne si Komunë një kohë patëm një numër shumë të vogël të të prekurve me COVID-19, ndërsa me rastet e fundit jemi Komuna e tretë për nga numri i të infektuarve, mirëpo testimet, të cilat janë bërë këto tri ditët e fundit kanë rezultu, që vetëm 23 janë pozitiv, pra e mira është se çdo ditë kemi më pak të infektuar.
Ne si Komunë i kemi ndarë 100 mijë euro në mbledhjen e mbajtur të Asamblesë Komunale. Gjatë këtyre ditëve kemi shpërndarë pako ushqimore dhe higjienike, të cilat janë shpërndarë në bashkëpunim me Kryetarët e Bashkësive Lokale. Shpresojmë, që ditëve në vijim të mos na shfaqen raste të reja, ne jemi në karantinë, masat do të ndryshojnë pas 4 majit, mirëpo deri më 18 maj mbesim përafërsisht me masa të njëjta, ku lejohet qarkullimi më i gjatë i qytetarëve dhe lejohet ndërtimtaria si aktivitet ekonomik, pas 18 majit vazhdojnë masat tjera, por të cilat varen, prej numrit të rasteve me COVID-19”.

Komandanti i Stacionit të Policisë në Pejë, z.Ndue Nikolla i njoftoj të pranishmit se situata e sigurisë edhe në këtë kohë pandemie në Komunën e Pejës është e qetë, stabile dhe nën kontroll, nuk ka raste të rënda edhe ka rënie të dukshme të rasteve të veprave penale dhe veprave të tjera penale vetëm si statistikë, po ju jap për 4 muaj të vitit 2020 kemi 140 raste më pak, por edhe në Komunën e Pejës ka ngritje të rasteve të dhunës në familje në periudhën mars-prill, po flas për periudhën e pandemisë në vitin e kaluar i kemi pas 14 raste të dhunës të raportuara , ndërsa për këta dy muaj deri më sot, që po raportoj i kemi 27 raste, sa i përket pandemisë situata është duke u menaxhuar jashtëzakonisht mirë, ku në këto ditët e fundit e kemi një relaksim të situatës. Me datën 25 prill me vendim të Ministrisë së Shëndetësisë ne kemi hyrë në karantinë, normal, që angazhimet e policisë janë dyfishuar, pra i kemi të vendosur policinë në gjitha hyrje-daljet e qyteteve me të cilat kufizohet Peja.

Drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Komunën e Pejës, z.Petrit Loci i njoftoj të pranishmit se prej fillimit të pandemisë edhe Komuna e Pejës është përfshirë sa u përket masave të ndërmarra nga Ministria e Shëndetësisë, respektivisht Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik dhe në koordinim me institucionet e tjera relevante, prej ditës së parë kemi qenë të angazhuar maksimalisht, që t’ja dalim. Sa i përket numrit të të prekurve tashmë është publik, pra në Komunën e Pejës është një numër, prej 73 personave, të cilët kanë rezultuar pozitiv, prej 73 të prekurve dy i kemi të vdekur, dy të tjerë janë të shtruar në Klinikën Infektive në Prishtinë për trajtim të mëtutjeshëm dhe në momentin, që këta pacienta të shërohen kthehen në shtëpitë e tyre për të vazhduar sipas protokollit të izolimit edhe në shtëpi për një periudhë të caktuar, ndërsa të gjithë pacientat e tjerë janë
izoluar në shtëpitë e tyre, pra këta persona janë gjatë gjithë kohës në monitorim të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik dhe Policisë së Kosovës. Vatra të infektimit janë fshati Llugagji, Katundi i Ri, Bllagaj, lagjja “Kristal”, Vitomericë, por e mira është se këto ditë numri i të prekurve në Komunën e Pejës është duke rënë.

Znj. Ardita Bala nga Qendra për Mirëqenien e Gruas i përshëndeti të pranishmit dhe ndër të tjera tha: “Nga janari e deri më sot kemi strehuar 19 gra dhe fëmijë të regjionit të Pejës, ndërsa me 1 shkurt e kemi nënshkrur zyrtarisht edhe kontratën me Ministrinë e Mirëqenies Sociale. Gjatë kohës së pandemisë 4 gra i kemi strehu, ndërsa kërkesa ka qenë edhe më e madhe, por shumica kanë qenë raste, që kanë kërku ndihma në ushqim, këshillim, ndihmë juridike etj”.

Drejtori për Arsim në Komunën e Pejës, z.Besim Avdimetaj ka raportuar se me qëllim të ruajtjes së shëndetit të nxënësve dhe mësimdhënësve në këtë kohë pandemie janë duke u zbatuar në përpikmëri vendimet e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, po ashtu Drejtoria Komunal e Arsimit së bashku me shkollat fillore dhe të mesme të Komunës së Pejës, ju ka përgjigjur thirrjes për organizimin e mësimit në distancë. Mësimi online ka filluar nga data 23 mars deri më datën 27 mars java e parë është zhvilluar mësimi vetëm në dy lëndë në lëndën e gjuhës shqipe dhe matematikës të shfaqur nëpërmjet televizionit, ndërsa në shkollat e mesme të nivelit të lartë mësimi ka filluar me datë 30.03.2020. Sipas statistikave të dërguara nga drejtorët e shkollave në nivelin fillor pjesëmarrja e nxënësve ka qenë 94.1%, prej klasës së parë deri në klasën e 5, ndërsa klasa 6-9 ka qenë 88 % dhe shkollat e mesme të larta 86 %, ndërsa nga e hëna 06.04.2020 edhe mësimdhënësit mbështetës dhe asistentët personal janë angazhuar dhe kanë mbajtur kontakt me prindërit e fëmijëve me nevoja të veçanta, nga data 14.04.2020 deri më 17.04.2020 mësimi në distancë në shkollat e Komunës së Pejës është zhvilluar në të gjitha nivelet duke përfshirë edhe nivelin parafillor, pjesëmarrja e nxënësve gjatë kësaj jave në nivelin fillor ka qenë 94.3 %, në nivelin e mesëm të ulët ka qenë 90% dhe në nivelin e mesëm të lartë 88.5% dhe në gjuhën boshnjake mbi 95%, ndërsa sa i përket testit të klasëve të 9-ta dhe testit të maturës shtetërore gjatë muajit maj do të marrim informacione dhe me kohë do t’ju njoftojmë.

Në vazhdim anëtarët paraqiten shqetësimet dhe kërkesat e tyre bazuar në nevojat e komuniteteve, që ata i përfaqësojnë.