Republika e Kosoves

Pejë

RUGOVA

 

Regjioni i Bjeshkëve të Rugovës shtrihet në veriperëndim të qytetit të Pejës dhe ka sipërfaqe prej 32.492.96 ha, në të cilën sipërfaqe gjenden 15 fshatra dhe është njëri nga regjionet malore, që përfshijnë Bjeshkët e Nemuna me pasuri më të mëdha natyrore.

Bukuria e këtij regjioni malor është Gryka e Rugovës, e cila fillon vetëm 2 km larg nga qendra e qytetit, me një gjatësi prej 12 km dhe këtu pastaj fillon të hapet.Lumi Lumbardhi, i cili formohet nga burimet, që gjenden në pjesë të ndryshme të Rugovës, me gjatësi prej 56 km dhe me vrullshmëri të madhe të ujit, e ndan këtë Grykë në dy pjesë, duke i dhënë madhështinë me shkëmbinjtë kolosal dhe madhështor, të cilët arrijnë lartësinë deri në 2000 m lartësi mbi nivelin e detit,  ujërat që burojnë nga shkëmbinjtë duke krijuar ujëvara, shpella etj.

 

Pothuajse në të gjithë hapësirën e Bjeshkëve të Rugovës mund të hasësh në mrekullitë, që gjenden të fshehura nën egërsinë malore të florës. Janë liqenet madhështor që gjenden në lartësi prej 1860 m në Leqinat të Kuqishtës, dy ujëvarat në Rekën e Allagës, flora dhe fauna e shpërndarë në  gjithë regjionin, bukuria e pamjeve që mund ta vëzhgosh nga bjeshkët e ndryshme etj. Në ditët e sotme ky regjion malor ka filluar të bëhet shumë atraktiv për turistë dhe janë duke e vizituar gjithnjë e më shumë banorët e Kosovës dhe të huaj, jo vetëm për shëtitje, por edhe për të kryer aktivitete rekreative/sportive. Ky regjion tani ka fituar edhe emër të destinaconit turistik nga WTTC në vitin 2013 dhe vizitorët vijnë posaçërisht për t’i vizituar këto bukuri, që ofron ky regjion mal  or dhe për të kaluar kohën në një ambient të gjelbëruar.

 

 

Me pasuritë e mëdha që disponon, regjioni malor i Rugovës ofron mundësi të shumta për kryerjen e aktiviteteve rekreativo-sportive ku shumë dashamirë të natyrës, entuziastë të bjeshkëve dhe sportistë e kalojnë kohën duke shijuar ajrin e pastër, natyrën e gjallë dhe kënaqësinë e pamjeve piktoreske. Janë të shumta aktivitetet, që zhvillohen në këtë regjion malor nga popullata vendase, si dhe nga vizitorët e shumtë, që gjatë gjithë vitit e vizitojnë këtë regjion të bukur malor. Janë mjaft atraktive aktivitetet e ngjitjes në shkëmbinj, ecjet malore, pushtimi i majave malore deri në 2530 m, eksplorimet në shpella, Via Ferrata, ekskursionet ditore dhe pushimet e vikendeve, kampingjet, skialpinizmi, ecjet me papuqe bore, skijimi i lirë etj. Janë të gjitha këto aktivitete, që kryhen duke ju falënderuar natyrës së egër dhe të virgjër, si dhe përshtatshmërisë së shtrirjes, lartësisë, pasurive ujore, shumëllojshmërisë së florës dhe faunës.