Republika e Kosoves

Podujevë

Fillon rrënimi i një objekti të vjetër, i destinuar për Shtëpi të Kulturës

2024/09/30 - 1:56

Inspektorati i Komunës së Podujevës sot ka nisur rrënimin e objektit që ishte i paraparë për Shtëpi të Kulturës, i ndërtuar në vitet ’80. Ky vendim për rrënim është rezultat i një procesi të gjatë, përfshirë edhe atë gjyqësor, që kishte nisur në vitin 2006.

Në vitin 1980 Seksioni pronësor-juridik i Kuvendit Komunal të Podujevës kishte marrë Vendimin nr. 04-466-765/3 për eksproprijimin e pronës së paluajtshme të pronarëve privatë për nevoja dhe për interesa të Bashkësisë Vetëqeverisëse të Interesit (BVI), për të ndërtuar një shtëpi të kulturës në Podujevë. Një pjesë e këtij objekti që është ndërtuar para 40 vjetësh (e që nuk u funksionalizua asnjëherë), atëkohë i përkiste një pronari privat.

Në vitin 2006, tri vjet pasi kjo pronë u regjistrua në emër të Komunës së Podujevës, ish-pronari kishte ushtruar padi në Gjykatën Komunale në Podujevë kundër Komunës për vërtetimin e pronësisë. Dhe pas gjashtë vjetësh (2012) Gjykata Supreme kishte vendosur në favor të pronarit privat. Ndërkohë që, Gjykata Kushtetuese (2013) nuk kishte gjetur ndonjë shkelje në aktgjykimin e Supremes.

Bazuar në këtë aktgjykim të Supremes, pavarësisht shpronësimit që ishte bërë në vitet ‘80, i bie që objekti në fjalë ishte i ndërtuar në dy prona me pronarë të ndryshëm: një pjesë në pronë të Komunës dhe pjesa tjetër në pronë private.

Duke qenë kështu, marrë parasysh edhe vjetërsinë e objektit, Drejtoria për Planifikim Urban dhe Mbrojtje të Mjedisit, këtë vit e formoi një Komision profesional për të konstatuar qëndrueshmërinë e objektit. Komisioni konstatoi se objekti nuk ka qëndrueshmëri dhe nuk mund të rinovohet. Ky raport i Komisionit profesional i cili rekomandon që objekti të rrënohet, në maj të këtij viti është miratuar edhe nga asamblistë të të gjitha partive politike përfaqësuese në Kuvendin Komunal.

Në të njëjtën kohë, edhe pronari privat ka bërë kërkesë në Komunë për t’ia liruar hapësirën e tij.

Prandaj, bazuar në të gjithë këto që u thanë më lartë, sot ka filluar edhe rrënimi i këtij objekti.

Për rrënimin e këtij objekti Komuna paguan vetëm për pjesën që është në pronë komunale, kurse për pjesën tjetër të objektit që është në pronë private për rrënimin e tij paguan pronari privat.