2024/11/01 - 9:50
Nën patronazhin e Kryetarit të Komunës, Shpejtim Bulliqi, sonte në Teatrin “Avdush Hasani” u hap Festivali Kombëtar “Pushka e Lirisë”, i cili po mbahet në nderim të Heroit të Kosovës, Zahir Pajaziti.
Në hapjen e Festivalit, Kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, u shpreh i lumtur për këtë organizim që po mbahet në 62-vjetorin e lindjes së Heroit të Kosovës, Zahir Pajaziti.
“Ky Festival nuk është thjesht një aktivitet artistik, por edhe një kujdes e respekt i përbashkët para jetës dhe veprës së një prej figurave më të shquara të rezistencës për liri. Në bashkëpunim me Ansamblin e Këngëve dhe Valleve ‘Zahir Pajaziti’, ky aktivitet ka për synim të forcojë lidhjen mes kulturës dhe historisë sonë, duke mbajtur gjallë kujtimin për ata që dhanë gjithçka për vendin”, tha Kryetari Bulliqi.
Në natën e parë të Festivalit para shumë qytetarëve, familje të dëshmorëve dhe dashamirë të artit dhe muzikës folklorike performuan: Ansambli “Zahir Pajaziti” – Podujevë, Ansambli “Benda” – Shqipëri, Ansambli “Visaret e Krrabes” -Tiranë, Asambli “Zëri i Kamenicës” – Kamenicë, Asambli “Zëri Kosovës” – Fushë Kosovë, Shoqëria Kulturore Artistike “Flaka e Llapit” – Podujevë, Llesh Prenga- Mirditë, Xhemajl Duraku, Vëllezrit Dumoshi dhe Fehmi Kastrati me grupin e tij.
Në natën hapëse të këtij Festivali ishte edhe drejtoresha e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Vlora Humolli.
Festivalit “Pushka e Lirisë” do të vazhdojë edhe të premten me program të pasur kulturor e artistik dhe me ndarjen e çmimeve për ansamblet pjesëmarrëse.