Republika e Kosoves

Podujevë

Kryetari Bulliqi priti në takim këshilltarin e ish-Presidentit të Finlandës, Martti Ahtisaari

2024/09/27 - 8:42

Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka pritur në takim Severi Keinala, një diplomat finlandez me përvojë të gjatë në Presidencën e Finlandës dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme. Z. Keinala ka qenë pjesë e ekipit të ish-Presidentit Martti Ahtisaari dhe ka shërbyer si Komisioner i Përgjithshëm i Finlandës në EXPO Dubai.

Gjatë takimit, Kryetari Bulliqi dhe z.Keinala diskutuan mundësinë e binjakëzimit të Komunës së Podujevës me një komunë finlandeze, duke krijuar kështu një platformë për bashkëpunim të ndërsjellë në fusha të ndryshme. Kjo iniciativë synon forcimin e lidhjeve ndërmjet dy vendeve dhe shkëmbimin e përvojave në zhvillimin e projekteve të përbashkëta.

Kryetari Bulliqi e falënderoi z.Keinala për kontributin e tij dhe të ish-Presidentit Ahtisaari për Pavarësinë e Republikës së Kosovës dhe ndihmën e vazhdueshme të Finlandës në konsolidimin dhe zhvillimin e institucioneve të Kosovës.