Republika e Kosoves

Podujevë

Kuvendi Komunal miratoi buxhetin e Komunës për vitin 2025

2024/09/26 - 7:30

Kuvendi Komunal i Podujevës e ka miratuar buxhetin për vitin 2025, i cili është më shumë se 33 milionë euro, ose rreth 2 milionë më i lartë sesa i vitit 2024. Gjatë kësaj mbledhje që e udhëhoqi Kryesuesi i Kuvendit, Hilmi Hoxha, i pranishëm ishte edhe Kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, anëtarët e ekzekutivit, përfaqësues nga KFOR-i, OSBE-ja dhe media.

Para asamblistëve projekt-buxhetin e prezantoi Drejtori për Buxhet dhe Financa, Fatlum Osmani, i cili theksoi se me këtë buxhet prioritet u është dhënë fushës së arsimit, zhvillimit ekonomik, bujqësisë, shëndetësisë, etj.

Duke përmendur rritjen e buxhetit për vitin e ardhshëm, Osmani tha se edhe gjatë vitit 2025 do të ketë projekte të mëdha që janë në interes të qytetarëve edhe në fushën e infrastrukturës, shërbimeve publike, etj.

Për projekt-buxhetin diskutuan anëtarët e të gjitha partive politike në Kuvend, ku dhanë sugjerimet, kritikat dhe lavdërimet lidhur me draft-buxhetin.
Ndërkohë, Kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, theksoi se ky projekt-buxhet reflekton nevojat dhe kërkesat e qytetarëve të Podujevës.

“Ky buxhet reflekton prioritetet tona kryesore, duke përfshirë arsimin, shëndetësinë, infrastrukturën, bujqësinë, kulturën dhe sportin. Si një buxhet gjithëpërfshirës, kemi planifikuar investime në pjesën më të madhe të fshatrave dhe lokaliteteve të Podujevës, duke marrë parasysh nevojat dhe kërkesat e qytetarëve”, tha ndër të tjera Kryetari Bulliqi.

Drejtori Osmani iu përgjigj të gjitha pyetjeve të anëtarëve të Asamblesë dhe po ashtu dha shpjegime për rritjen e buxhetit në secilën kategori.

Pas diskutimeve të shumta, me 21 vota për u miratua buxheti për vitin 2025 në shumën prej 33,459,115.00 euro.