Republika e Kosoves

Podujevë

Mbahet seanca solemne për nder të 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës

2025/02/17 - 3:26

Kuvendi Komunal i Podujevës ka mabjtur seancë solemne për nder të 17-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Seanca ka nisur me intonimin e himnit kombëtar dhe atij shtetëror të Kosovës.

 

Kryesuesi Hilmi Hoxha, i cili edhe e ka udhëheq këtë seancë, i ftoi të pranishmit për një minutë heshtje në nderim të dëshmorëve dhe të rënëve për lirinë e vendit.

 

Ai tha se 17 Shkurti është një ngjarje historike që shënoi një kthesë të rëndësishme në jetën e popullit tonë.

 

“17 Shkurti i vitit 2008 është një ditë që mbetet e shkruar me germa të arta në historinë e kombit tonë. Ky është një përvjetor që na kujton se Pavarësia nuk ka ardhur lehtë, por si rezultat i një përpjekjeje të jashtëzakonshme, të një lufte të lavdishme dhe të sakrificave të mëdha”, tha Hilmi Hoxha.

 

Edhe Kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, tha se kjo është një ditë historike, një ditë që na kujton sakrificat, mundin dhe përpjekjet e mëdha të brezave të tërë për lirinë dhe shtetësinë tonë.

 

Sipas tij, Pavarësia e Kosovës është fryt i sakrificës së mijëra dëshmorëve e martirëve, i luftës heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe mbështetjes së aleatëve tanë ndërkombëtarë në rrugëtimin tonë për liri e pavarësi.

 

“Nuk mund të kujtojmë këtë ditë pa përmendur edhe figurat emblematike të rezistencës dhe udhëheqjes sonë kombëtare, si Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova, komandanti legjendar Adem Jashari, komandanti Zahir Pajaziti dhe shumë të tjerë që me veprën dhe vizionin e tyre i dhanë drejtim çlirimit dhe shtetndërtimit tonë”, theksoi Bulliqi.

 

Ai tha se Kosova është amaneti i dëshmorëve dhe përgjegjësia jonë e përbashkët për ta forcuar dhe zhvilluar.

 

“Pavarësia nuk është vetëm një datë historike, por një angazhim i vazhdueshëm për institucione të forta, drejtësi dhe mirëqenie për të gjithë qytetarët.

Sot, më shumë se kurrë, na duhet unitet dhe përkushtim për ta bërë Kosovën një vend ku rinia ka perspektivë, ku sundon ligji dhe ku secili ndihet krenar për shtetin e tij”, theksoi Kryetari Bulliqi.

 

Në këtë seancë të pranishëm ishin edhe Nënkryetarja e Komunës, Marigona Lahu, drejtorë e kuvendarë komunalë.

 

Pas përfundimit të seancës solemne, Kryetari Shpejtim Bulliqi bashkë me Nënkryetaren Lahu, Kryesuesin Hilmi Hoxha, drejtorë e këshilltarë komunalë kanë bërë homazhe pranë shtatoreve (në qytet) të Ali Ajetit, Ibrahim Rugovës, Adem Demaçit, Zahir Pajazitit, Hakif Zejnullahut, Ilir Konushefcit dhe Edmond Hoxhës dhe më pas edhe në Kompleksin Momerial të Dëshmorëve në fshatin Penuhë.