2024/11/22 - 3:39
Siguria e nxënësve në shkolla i ka mbledhur në një takim të përbashkët zyrtarët komunalë, Këshillin e Prindërve, drejtorë shkollash dhe Policinë e Kosovës.
Ky takim që është organizuar nga Drejtoria për Arsim dhe është mbajtur në sallën e Kuvendit Komunal, ka për qëllim forcimin e bashkëpunimit ndërmjet këtyre institucioneve për ndërmarrjen e veprimeve për të rritur sigurinë në shkolla.
Gjatë takimit, pjesëmarrësit kërkuan monitorim më të madh të hyrje-daljeve në shkolla dhe vendosjen e kamerave aty ku nuk ka, masa për parandalimin e dhunës në ambiente shkollore dhe prani më të madhe të Policisë në shkolla.
Drejtori i Arsimit, Avni Fetahu, i falënderoi të gjithë pjesëmarrësit për kontributin që dhanë gjatë këtij takimi rreth sigurisë në shkolla.
“Ky takim është një shembull i bashkëpunimit të suksesshëm ndërmjet institucioneve dhe komunitetit për një të ardhme më të sigurt për fëmijët tanë”, tha drejtori Fetahu.
Ai theksoi se do të vazhdojnë të mbajnë edhe takime tjera, të cilat i konsideroi si një hap të rëndësishëm që shkollat të jenë mjedise të sigurta dhe të mbrojtura, ku nxënësit mund të zhvillohen dhe mësojnë pa shqetësime.