2025/02/17 - 8:29
Në përvjetorin e shtatëmbëdhjetë të Pavarësisë së Kosovës është hapur ekspozita me fotografi “Hapat e parë në kamp” të autorit nga Maqedonia Osman Demiri.
Ekspozita me fotografi të fëmijëve kosovarë në Kampin e Bllacës po qëndron e hapur në Galerinë e Arteve në Podujevë.
Drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, Vlora Humolli-Jashanica, e ka falënderuar autorin Demiri, i cili siç tha ajo, me këtë ekspozitë i ka dhënë emocion të veçantë Ditës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës.
Ndërsa, autori Osman Demiri, tha se është kënaqësi dhe privilegj që në këtë përvjetor të Pavarësisë së Kosovës po i shfaq në Podujevë fotografitë e fëmijëve kosovarë të para 26 vjetëve.
“Atëkohë më së vështiri ka qenë me pas mendjen e ftohtë. Unë jam munduar të kap buzëqeshjen dhe hapat e parë të këtyre fëmijëve në kamp. Por, nuk ka qenë e lehtë se nuk kishte buzëqeshje”, tha ndër të tjera Demiri.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri ditën e premte, në intervalin kohor prej orës 10:00 deri në orën 16:00.