Republika e Kosoves

Podujevë

Nënshkruhet marrëveshja për ndërtimin e impiantit të ujërave të zeza në vlerë 35 milionë euro

2025/01/20 - 1:08

Kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi ka nënshkruar marrëveshje me Drejtorin e BERZH-it në Kosovë, Sergiy Maslichenko dhe Kryeshefin e KRU Prishtina, Arsim Fetahu për ndërtimin e imipiantit të ujërave të zeza.

Vlera e këtij projekti është 35 milionë euro, ku 25 milionë janë kredi nga BERZH-i (kthimin e mjeteve e bën Qeveria e Kosovës), kurse 10 milionë të tjerë sigurohen nga Korniza Investive e Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor.

Kryetari Bulliqi e vlerësoi si ditë të rëndësishme për Komunën e Podujevës nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje.

“Me ndërtimin e këtij impianti, jo vetëm që do të trajtojmë ujërat e zeza sipas standardeve bashkëkohore, por edhe do të kontribuojmë në reduktimin e ndotjes së lumenjve dhe mbrojtjen e burimeve ujore”, tha Bulliqi.

Projekti realizohet në bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës, Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”.

Në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes të pranishëm ishin Kryetari i Komunës, z.Shpejtim Bulliqi, Ministri i Financave, z.Hekuran Murati, Zëvendësministri i Ekonomisë, z.Getoar Mjeku, Drejtori i BERZH-it në Kosovë, z.Sergiy Maslichenko dhe Kryeshefi i KRU “Prishtina”, z.Arsim Fetahu.