Republika e Kosoves

Podujevë

Vihet gurthemeli për Qendrën e Kompetencës, Tregun e Gjelbër dhe një sallë sportive

2024/11/29 - 3:35

Tri projekte kanë nisur të ndërtohen sot në Komunën e Podujevës, Qendra e Kompetencës në Livadicë, Tregu i Gjelbër në qytet dhe salla e sporteve në fshatin Sfeçël. Në ceremonitë e vënies së gurthemeleve ka marrë pjesë edhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, z.Albin Kurti, Kryetari i Komunës së Podujevës, z.Shpejtim Bulliqi, Ministrja e Arsimit, znj.Arbërie Nagavci, zëvendësministra, deputetë, drejtorë komunalë e zyrtarë tjerë nga niveli lokal e qendror.

Së pari është vënë gurthemeli i sallës së sporteve në oborrin e Shkollës Fillore “Ali Ajeti” në fshatin Sfeçël, projekt ky që realizohet me bashkëfinancim ndërmjet Komunës së Podujevës (273 mijë euro) dhe MAPL-së (100 mijë euro) dhe ka një sipërfaqe prej 719 m².

Më pas e është vizituar çerdhja në këtë fshat, ku zyrtarët nga niveli qendror e lokal janë pritur ngrohtësisht nga fëmijët dhe stafi i çerdhes.

Pas vënies së gurthemelit të Qendrës së Kompetencës në Livadicë, Kryeministri Kurti e ka quajtur të shkëlqyer idenë për ndërtimin e kësaj shkolle profesionale, e cila do të ketë hapësirë prej 5,247 m² dhe ndërtohet me bashkëfinancim ndërmjet Komunës dhe MASHTI në vlerë prej 2.43 milionë euro (1.8 milionë nga MASHTI dhe 630 mijë nga Komuna).

“Ju përgëzoj për këtë ide të shkëlqyeshme për këtë Qendër të Kompetencës e cila do të lidh arsimin me ekonominë, duke i aftësuar të rinjtë për tregun e punës”, tha Kryeministri Kurti.

Projekti i tretë që ka niasur sot është ai i Tregut të Gjelbër, i cili do të ndërtohet në hapësirën ku ka qenë Stacioni i vjetër i Autobusëve. Kryetari Bulliqi tha se ky treg do të ofrojë kushte moderne për tregtarë dhe shërbime cilësore për qytetarë.

“Në vazhdën e shumë projekteve të mëdha e transformuese që po zhvillohen në Podujevë, sot vendosëm gurthemelin edhe për ndërtimin e një projekti tjetër madhor, atë të Tregut të Gjelbër, një projekt shumë i rëndësishëm për fermerët tanë. Tregu i Gjelbër përveçqë do të ofrojë kushte moderne për fermerët dhe shërbime më të mira për qytetarët që furnizohen me produkte ushqimore, do të ndikojë edhe në zhvillimin ekonomik lokal”, tha Kryetari Bulliqi.

Projekti i Tregut të Gjelbër ndërtohet në bashkëfinancim me Ministrinë e Zhvillimit Rajonal, vlera totale e të cilit është 1,440,787.30, ku me 400 mijë euro participon Ministria dhe pjesën tjetër e mbulon Komuna.