Republika e Kosoves

Podujevë

25-vjetori i çlirimit i Podujevës shënohet me seancë solemne

2024/06/19 - 2:35

Me seancë solemne kanë filluar aktivitetet e shumta për shënimin e 25-vjetorit të çlirimit të Podujevës. Kryesuesi i Kuvendit Komunal Hilmi Hoxha me këtë rast tha se sot të gjithë festojmë duke kujtuar të kaluarën tonë të lavdishme, pasi kjo datë shënon edhe fundin e një epoke të luftës së gjatë për liri dhe pavarësi.
“Kjo datë bartë një histori me ndjenja të përziera krenarie e dhembje…Për këto 25 vjet janë bërë ndryshme të mëdha në gjithë Kosovën, pra edhe në Komunën e Podujevës në të gjitha segmentet, si në ekonomi, arsim, shëndetësi, infrastrukturë, sport e kulturë”, tha Hilmi Hoxha.
Kryesuesi i Kuvendit Komunal theksoi se derisa festojmë 25-vjetorin e çlirimit, kujtojmë heronjtë, dëshmorët, martirët dhe miqtë ndërkombëtarë që e ndihmuan luftën e shenjtë të UÇK-së e cila e solli lirinë.
Ndërkohë, Kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi tha se sot po e shënojmë një ngjarje historike dhe të veçantë për komunën, 25-vjetorin e çlirimit të Podujevës.
“Kjo datë simbolizon jo vetëm fundin e një periudhe të errët, por edhe fillimin e një epoke të re të lirisë dhe zhvillimit për komunën dhe qytetarët tanë. Gjatë këtyre 25-vjetëve, Podujeva ka kaluar nëpër sfida të mëdha dhe ka shënuar përparime të dukshme. Çlirimi i Podujevës përbën një moment historik për qytetin e komunën tonë. Ky moment përfaqëson triumfin e drejtësisë mbi padrejtësinë dhe të lirisë mbi shtypjen”, tha kryetari Bulliqi.
Ai theksoi se në këtë ditë kujtojmë dhe nderojmë të gjithë ata që sakrifikuan jetët e tyre për lirinë e Kosovës.
“Kujtojmë me nderim të veçantë heronjtë, dëshmorët dhe martirët të cilët me guzximin dhe sakrificën e tyre na dhanë të ardhme të lirë neve dhe brezave të ardhshëm. Në këtë ditë historike për komunën tonë një mirënjohje të veçantë e falënderim të thellë meritojnë të gjithë djemtë e vajzat e Ushtrisë Çlirimtare që tejkaluan frikën nga vdekja dhe u bashkuan në misionin e tyre për të luftuar për lirinë e atdheut”, deklaroi Shpejtim Bulliqi.
Gjatë kësaj seancë solemne ish-deputetja e Parlamentit Evropian, Doris Pack u nderua me titullin “Qytetare Nderi” e Komunës së Podujevës. Me këtë rast, kryetari Bulliqi vlerësoi lart kontributin e znj.Pack, e cila si deputete në vitet ’90 loboi me vendosmëri për çështjen e Kosovës dhe ndërkombëtarizimin e saj.
Zëri i saj i fuqishëm, tha kryetari Bulliqi, nuk u ndal as pas luftës për të mbështetur fuqishëm pavarësinë dhe njohjen e Kosovës.
E znj.Pack u shpreh e lumtur për çmimin që iu dha dhe tha se ndihet e nderuar që nga sot e tutje e ka edhe një shtëpi në Kosovë. Ish-deputetja e Parlamentit Evropian përmendi Adem Demaçin e Ibrahim Rugovën me të cilët tha se ndërtoi lidhjet e para me Kosovën.
Me mirënjnohje është nderuar edhe Ertan Xhihiq, për kontributin në futbollin e Podujevës, respektivisht Klubin “Besiana”.
Me një fjalë rasti të pranishmëve u janë drejtuar edhe ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa dhe shefi i Grupit të këshilltarëve të LDK-së, Valon Demolli.