Republika e Kosoves

Podujevë

Dëgjimet buxhetore, u mbajtën katër takime publike me qytetarë

2020/06/23 - 9:22

Në kuadër të dëgjimeve buxhetore, lidhur me procesin e përgatitjes së buxhetit të Komunës së Podujevës për vitin 2021 dhe prioriteteve buxhetore për vitet 2022-23, Komuna e Podujevës ka mbajtur takime publike me qytetarët në tri lokalitete.

Në takimet publike me qytetarët (më 17 qershor në Dumnicë e Poshtme dhe Pollatë dhe më 18 qershor në Shajkoc dhe Majac), banorët e këtyre fshatrave dhe fshatrave përreth, janë informuar nga Ekzekutivi i Komunës për lartësinë e buxhetit t ë Komunës për vitin 2021.

Gjatë këtyre dëgjimeve buxhetore drejtorët e drejtorive komunale kanë prezantuar para qytetarëve projeksionet e ekzekutivit dhe kanë kërkuar nga qytetarët t’i paraqesin nevojat dhe prioritetet në lokalitetet e tyre në mënyrë që ato të futen në planifikimet buxhetore të Komunës së Podujevës.

Përfaqësuesit e fshatrave dhe qytetarët kanë bërë propozime dhe kërkesa konkrete për nevojat në investime, të cilat kryesisht ishin të orientuara në infrastrukturë dhe në subvencionime, të cilat do të përfshihen në planifikimet buxhetore për vitin 2021 dhe prioritetet për vitet 2022-23

Drejtorët komunalë, kanë regjistruar propozimet dhe kërkesat e qytetarëve, kanë dhënë sqarimet e nevojshme në pyetjet dhe propozimet e qytetarëve.

Bazuar në situatën e krijuar si pasojë e pandemisë COVID19 dhe pjesëmarrjes së vogël të qytetarëve në takime, Komuna e Podujevës ka bërë të mundur edhe pranimin e kërkesave të qytetarëve me shkrim, përmes përfaqësuesve të fshatrave.