Republika e Kosoves

Podujevë

Kryetari Veliu nënshkroi deklaratën ndër-komunale për promovimin e dialogut ndërmjet komuniteteve

2019/07/19 - 10:04

Në një ceremoni të organizuar nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, Misioni në Kosovë (OSBE), kryetarët e komunave të Podujevës dhe Vushtrrisë si dhe përfaqësues nga Komuna e Mitrovicës dhe Skenderajt, solemnisht kanë nënshkruar Deklaratë të përbashkët ndër-komunale për të promovuar dialogun ndërmjet komuniteteve në këto katër komuna.
Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori Jan Braathu, duke i përgëzuar kryetarët e komunave për këtë iniciativë shumë domethënëse, tha se ky hap është shumë me rëndësi, sepse njerëzit jetojnë këtu dhe duhet të ketë dialog mes komuniteteve, që të jenë pjesë e procesit të zhvillimeve në shoqëri.
Me këtë rast kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, u zotua për angazhim të përgjithshëm në zbatimin e plotë të gjitha pikave, që parashihen në këtë deklaratë.
Duke u lidhur me gjendjen në Podujevë, kryetari Veliu tha se komunitet jetojnë të integruara dhe në lagje të përbashkëta me komunitetin shumicë.
Edhe kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri ka shprehur gatishmërinë që të merr edhe obligime shtesë, në promovimin e dialogut midis komuniteteve që jetojnë në Vushtrri.