Republika e Kosoves

Podujevë

Filloi ndërtimi i 22 shtëpive në Lagjen e Dëshmorëve

2020/05/18 - 4:05

Nënkryetari i Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari, ka vendosur sot solemnisht gurthemelin e ndërtimit edhe të 22 shtëpive në Lagjen e Dëshmorëve në Balloc të Podujevës.

Familjet e fundit që banojnë në kontejnerët e Lagjes së Dëshmorëve në Balloc së shpejti do të bëhen me shtëpi të reja.

Në këtë lagje sot ka filluar ndërtimi i 22 shtëpive të reja, me ç’rast nënkryetari i Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari, ka vendosur solemnisht gurthemelin e ndërtimit të shtëpive.

Nënkryetari Rudari me këtë rast ka thënë se me ndërtimin e këtyre shtëpive edhe familjet e fundit, që janë të strehuara në kontejnerë, do të bëhen me shtëpi të reja.

“Ashtu siç edhe kemi premtuar, me finalizimin e këtij projekti, të gjitha familjet që deri tani banonin në kushte të rënda në kontejnerë, po bëhen me shtëpi të reja. Kjo lagje po merr pamjen e një vendbanimi modern, duke pasur këtu edhe ambulancën dhe shkollën”, tha nënkryetari Rudari.

Deri tash në këtë lagje 90 familje janë vendosur në shtëpi të reja, si pjesë e projektit të përbashkët të Komunës së Podujevës me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Me ndërtimin e këtyre shtëpive shkon në 112 numri i shtëpive të ndërtuara në këtë lagje.