Republika e Kosoves

Podujevë

Fushata e korrje-shirjes në Podujevë, kryetari Veliu uroi të korra të begatshme

2019/07/19 - 4:01

Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, ka vizituar sot fshatin Dumosh ku nga afër ka përcjellë fushatën e korrje-shirjeve, e cila është duke u kryer në arat e mbjella me grurë dhe drithëra të tjera.
Në komunën e Podujevës është duke u zhvilluar fushata e korrje-shirjes, ndërsa për të përcjell nga afër këtë fushatë, kryetari i Komunës, Agim Veliu, bashkë me drejtorin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Vezir Januzi, kanë vizituar fshatin Dumosh.
Me këtë rast kryetari Veliu, vlerësoi se fushata e korrje-shirjes është duke u zhvilluar sipas dinamikës së paraparë.
“Falë kushteve të mira klimatike sivjet kemi rendimente të mira të grurit. Fermerët llapjanë janë të kënaqur me cilësinë dhe sasinë e grurit në arat e tyre. Atyre iu uroj korrje-shirje të suksesshme dhe t’i mbushin hambarët plot me bereqet”, tha kryetari Veliu, derisa po përcillte fushatën e korrjes-shirjes.
Kryetari Veliu tha se shpreson që nëse mbretërojnë kushtet e volitshme klimatike, fushata e korrjes-shirjes të përfundojë brenda pak ditësh.
Ndërsa, Vezir Januzi, drejtor i për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural i Komunës së Podujevës (DBPZHR), tha se bazuar nga të dhënat që janë siguruar nga tereni, pritet që sivjet të ketë rendimente të mira të grurit.
Drejtori Januzi tha se në territorin e komunës së Podujevës me drithëra sivjet janë të mbjella 3,761 hektarë. Prej tyre 2,975 hektarë me grurë, 41 he ma elb, 30 ha thekër dhe tërshërë 715 ha.
Në fushatën e korrje-shirjes janë angazhuar 87 autokombajna, kurse rendimentet e grurit sillen rreth 4 mijë kilogram për hektar.